Në një shkrim në Shqiptarja.com gazetari Adriatik Doçi ka publikuar disa akuza të Metës ndaj Berishës pas shpërthimit në Gërdec.
Nga Adriatik Doçi
Deri kur bashkuan për të qeverisur vendin së bashku në korrik të 2009, Ilir Meta ka shprehur bindjen e plotë se Sali Berisha ishte arkitekti, përgjegjësi dhe kryefajtori për Gërdecin, tashmë simboli dhe fytyra korruptive e Familjes Berishës, që besohet se mund të jetë edhe një nga arsyet e përfshirjes në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse Shkëlzen Berisha ende nuk kishte dalë në skenë, katër ditë pas shpërthimit tragjik, në 19 mars 2008, Meta thotë se Berisha jo vetëm ishte në dijeni të aferës në Gërdec, por po fshihte të vërtetën e biznesit që ishte ngritur me dorën e tij. Jo vetëm kaq, por Ilir Meta, në shtator të vitit 2008, ka hedhur dyshime të forta mbi rolin e Sali Berishës në vdekjen e misterioze dhe plot të dyshime të Kosta Trebickës, dëshmitarit kyç të historisë së Gërdecit, me 27 viktima, 200 të plagosur dhe mbi 300 shtëpi dhe biznese të rrafshuara.
Meta thoshte se banorët kishin marrë një urdhër që të mos i jepnin ndihmë Kosta Trebickës në momentet kur po jepte shpirt në një fushë mbi Voskopojë. Trebicka kishte kërcënuar hapur më parë Shkëlzen Berishën se do ta denonconte në mediat amerikane për implikimin e tij. Trebicka e akuzonte Shkëlzenin se e kishte nxjerrë jashtë loje nga biznesi në Gërdec. Ilir Meta, sot në aleancë me Berishën kundër SHBA dhe reformës në drejtësi, ka treguar edhe arsyet se pse Berisha nuk hetua nga prokuroria. Sipas tij, Sali Berisha ka ushtruar presion dhe shantazh ndaj prokurorisë, që hetimet të mos shkojnë deri tek ai, sipas Metës përgjegjës kryesor për skandalin.
Në 26 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve parlamentare, Meta foli për të herë të fundit për Gërdecin. Pas zgjedhjeve, në të cilat partia e tij mori vetëm 4 mandate, Meta u bashkua me Berishën. Ata u ndanë në mars të 2013 për t’u bashkuar sërish pas dy viteve, këtë herë kundër reformës në drejtësi, investimit më të madh të SHBA-BE në Shqipëri. Pas tre vitesh bashkëpunim në prapaskenë, në fillim të vitit 20018, Berisha dhe Meta shtynë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin të zyrtarizonin aleancën PD-LSI, e cila ka pësuar një krisje në zgjedhjet e parlamentare të 2021.
Megjithatë, Berisha dhe Meta kanë sinjalizuar vullnetin për të qëndruar të bashkuar. Berisha mori në mbrojtje Ilir Metën duke dënuar nismën për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit, ndërsa Ilir Meta mori në mbrojtje Berishën, duke dënuar vendimin e SHBA për përfshirjen e tij në listën e zezë.
Qëndrimi i Ilir Metës për implikimin e Berishës në Gërdec
19 mas 2008
“Nuk e kemi e ngritur gishtin ndaj tij që ditën e parë, sepse vëmendja e parë ishte ndaj njerëzve në fatkeqësi dhe te menaxhimi sa më mirë i kësaj tragjedie, por vetëpërmbajtja u keqpërdor nga kryefajtori për të minimizuar tragjedinë dhe për të fshehur të vërtetat.
Dëgjojmë edhe alibira nga më të ndryshmet, si ato që agjenturat e huaja gjithmonë përpara ngjarjeve të mëdha na krijojnë dhe na shkaktojnë fatkeqësi të tilla. Natyrisht, u mbetet organeve kompetente për t’i verifikuar. Por, unë kam frikë që agjenturat i kemi në krye të Qeverisë, sepse unë jam i bindur që një Kryeministër si Berisha, i cili di edhe për një pastruese që është në opozitë me Partinë Demokratike në një institucion apo drejtori dhe e largon nga puna, si të mos e dinte që kishte një fabrikë të tillë çmontimi predhash dhe armësh në mes të metropolit Tiranë-Durrës.
Po kështu, është më se e qartë se ngjarje të tilla jo vetëm që nuk kanë sjellë reflektimin e tij, se i ka të përsëritura, por përkundrazi, na tha në fillim se gabimi duhet të ishte njerëzor: Po kujt do t’ia kërkojmë këtë gabim ne? Atyre që u vranë? Atyre që humbën jetën? Atyre grave e fëmijëve që kemi parë këto ditë në televizione duke mbajtur predha nëpër duar për të çuar dy lekë më shumë në shtëpitë e tyre? A nuk e kupton ky demagog i pandreqshëm se çfarë varfërie dhe mizerje ka sjellë në këtë vend, kur edhe në zemrën e metropolit Tiranë-Durrës gra dhe fëmijë shkojnë të rrezikojnë jetën e tyre me predha dhe me armë për të marrë dy lekë më shumë? Mendoni se çfarë ndodh anembanë Shqipërisë.
Premtoi Shqipërinë në moshën e internetit dhe na riktheu Shqipërinë e Sali Qametit, sepse fëmijët atje u sakatuan dhe u vranë, duke punuar me predha në dorë dhe nuk i pamë duke luajtur në internet. Ky Kryeministër i papërgjegjshëm nuk e jep dorëheqjen për arsye se ka hall të bëjë karta identiteti, sepse ky i ka në zemër zgjedhjet e lira dhe të ndershme në këtë vend”.
4 qershor 2008
“Për të treguar se nuk ishte një lajthitje, ai sot e përforcoi këtë, duke vendosur si objektiv të arrestojë sa më shumë prokurorë e gjyqtarë, se ky na qenka i vetmi tregues apo indikator që s’paska realizuar Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, kur, për fat të keq, njeriu që shkatërroi shtetin në ’97-ën dhe që mban përgjegjësinë kryesore për tragjedinë e Gërdecit, në vend që të ishte sot i hetuari i parë edhe formalisht i prokurorisë, merr guximin dhe kurajën që të dhunojë hapur këtë institucion të pavarur, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
24 korrik 2008
“Ky Parlament ka tërë këta muaj dhe e ka tmerr të krijojë një komision hetimor parlamentar për Gërdecin, kjo është akuza më e madhe për këtë Parlament, kure në SHBA është ngritur komision hetimor për këtë çështje. Asnjë amerikan nuk është vrarë, ndërsa neve na janë vrarë 30 njerëz, dhe këtu ende bllokohet, jashtë të gjitha procedurave, një kërkesë, që është bërë dhe është firmosur nga deputetët për të hetuar tregtinë e municioneve. Jo vetëm kaq, por na keni kthyer në ’97-ën. Në ‘97-ën u kthye edhe Berisha me atë fjalor që përdori ndaj deputetit dhe të gjithëve. Por, edhe Parlamenti ynë u kthye në ’97-ën, kur i sulmon amerikanët duke i nxjerrë ata dhe evropianët nga lozha”.
15 shtator 2008
“Kryeministri aktual edhe një herë dëshmoi dyfytyrësinë e tij. Të tjera fjalë dëgjuam nga
Kryeministri ynë për të ndjerin Kosta Trebicka, kur ishte gjallë, pasi ai me kurajë denoncoi aferat e Gërdecit, ku përmendej edhe Kryeministri ynë dhe të afërm të tij, dhe të tjera fjalë (pra, sot u cilësua qytetar i përgjegjshëm dhe jo mafioz) dëgjojmë pas vdekjes së të ndjerit.
Unë nuk jam këtu për të bërë lidhje midis spotit publicitar që ka dalë nga ana e Kryeministrit, i cili do t’u mbushë mendjen të gjithë shqiptarëve sesa shumë është luftuar korrupsioni dhe, njëkohësisht, i fton të gjithë që denoncimet t’i bëjnë te Kryeministri dhe jo te prokuroria dhe faktit tjetër që qytetari më kurajoz, që dëshmoi kundër korrupsionit, humbi jetën, pasi nuk dua të marr përsipër atributet e prokurorisë dhe të ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, por e them me bindje që opinioni publik është tronditur në mënyrë të jashtëzakonshme nga një humbje e tillë, qoftë ajo edhe aksidentale.
Nuk dua as të kontestoj raportin e ministrit, sepse edhe ai është i bazuar tek ekspertët, veçse jo si politikan, por si qytetar, si të gjithë ju, do të isha vërtet edhe më i informuar, në rast se do të kishim dëgjuar orën se kur u njoftua policia për këtë aksident dhe orën se kur u paraqit në vendin e ngjarjes.
Do të doja të dija nëse është e vërtetë ajo që një tjetër banor deklaroi se në momentin që i ndjeri po jepte shpirt dhe u njoftuan organet e rendit, atij iu kërkua që të mos e preknin personin derisa të vinte policia, kur dihet që, pavarësisht nga çdo lloj aksidenti dhe kushdo qoftë ai, gjithmonë bëhet përpjekja për t’i dhënë ndihmën e parë, për ta shpëtuar.
Nuk dua të shtoj më tej dyshimet, sepse kjo është një çështje, e cila tashmë është duke u vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë, por, në rast se këto të gjitha nuk kanë lidhje, dhe do të dëshiroja që vërtet të mos kishin lidhje, pa dashur për të përfituar, për ta politizuar, ka diçka tjetër që është shumë evidente. Shteti ynë, tashmë është i kapur kokë e këmbë nga Sali Berisha, për fat të keq, Kryeministri i këtij vendi”.
16 shkurt 2009
“Mburremi se na u dha ftesa për në NATO vetëm një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, por, nëse do të ishte për të vlerësuar standardet e sigurisë, Shqipëria nuk do të pranohej në NATO. Të gjithë e dimë se u pranua për arsye të besnikërisë së saj ndaj Aleancës, për arsye të bashkëpunimit të saj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe për arsyet gjeopolitike e gjeostrategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të NATO-s”.
5 mars 2009
“Ftoj të gjithë shqiptarët që më 15 mars, me rastin e 1-vjetorit të tragjedisë së Gërdecit, të bashkohen me të gjithë opozitarët e vërtetë në sheshin “Nënë Tereza”, sepse në mars i ndodhkan të gjitha tragjeditë Sali Berishës dhe jam i bindur që ky është marsi i fundit me Berishën në pushtet dhe në politikë”.
26 qershor 2009
“Ja ku është sondazhi i shqiptarëve që do t’i hedhë te Lumi i Lanës sondazhet e Saliut dhe të të gjithë të korruptuarve të tjerë, që kujtojnë se do të gënjejnë popullin shqiptar dhe të manipulojnë votat e shqiptarëve. Sot do t’ju them me garancinë më të plotë se Lëvizja Socialiste për Integrim ka arritur numrin e 34 deputetëve dhe diskuton 15 mandate më shumë deri të dielën. Sot Lëvizja Socialiste për Integrim është forca e parë në 4 qarqe, në radhë të parë në Fier dhe në Berat. Sot, në qarkun e Tiranës, LSI dhe koalicioni ynë ka të sigurta 8 mandate dhe luftojnë për 11 deri të dielën. Kuçedrave të korrupsionit që i vranë shqiptarët në Gërdec dhe që i vrasin çdo ditë me korrupsionin dhe makutërinë e tyre po u vjen fundi nga zgjimi i popullit”.