Kandidatura e demokratit Agron Shehaj për drejtuar Partinë Demokratike është cilësuar nga analisti Mustafa Nano si pozitive. Në një intervistë në studion e lajmeve të MCN TV, Nano tha se Shehaj është një kandidat alternativ që nuk ngjan me Bashën dhe duket sikur i ikën klishesë, por shtoi se sërish ka për tu penalizuar.
“Shehaj për një perceptim popullor ngjan si një kandidat alternativ sepse nuk ngjan me Bashën, por edhe dy kandidatët e tjerë. Duket sikur duan ti ikin klishesë, edhe të tjerët po ashtu, por Shehaj duket më i ndryshëm se dy të tjerët.
Mendoj se ka për tu penalizuar sepse pavarësisht se ne na duket alternativë, brenda saj PD e sheh si kandidat problematik, por fakti që ka kandidatë është pozitive”, tha Nano.
Pyetjes nëse duhet të distancohet Shehaj dhe kandidatët e tjerë nga Sali Berisha pas shpalljes ‘Non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit, analisti iu përgjigj duke thënë se ish-kryeministri ka ende hije shumë të fortë në PD.
“Këta duhej të ishin distancuar para se të bënte DASH. Berisha ka qenë këtu dhe o e njohim ne o se njeh njeri. Ka ende një hije të Berishës që është shumë e fortë.
Njerëzit që kanë respekt për veten duhej të ishin distancuar prej Berishës. Demokratët duhet të shkëputen nga Berisha, me këtë nis një fillim i ri. Duhet të thonë stop, Berisha është histori por ne duhet të vazhdojmë përpara”, tha Nano.