“Është një privilegj që sot në emër të qeverisë së Shqipërisë tju shpreh mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse për nga përmasat dhe mesazhi i saj. Njëkohësisht dëshiroj që përveç dhe përtej mirënjohjes për të gjithë ata që janë përfshirë në këtë stërvitje dhe që përbëjnë edhe garancinë dhe sigurinë e përditshme për shqiptarët dhe Shqipërinë, me përkushtimin e sakrificat e tyre, t’ju shpreh mirënjohjen edhe familjeve të tyre. Dua t’i falënderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga SHBA dhe të gjitha vendet e tjera si dhe dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së Qeverisë së SHBA në Shqipëri, Ambasadores Yuri Kim, e cila me përkushtimin e saj i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve, duke përfshirë në vend të parë në mbështetjen e kërkesave dhe nevojave të vendit tonë, qoftë në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, qoftë të Drejtësisë. Besimi që SHBA kanë treguar në vijim te ky partneritet dhe aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël, kulmon me këtë stërvitje ushtarake që jo rastësisht është stërvitja më e madhe, me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë. Dua të nënvizoj faktin që edhe vetë kjo shfaqje e bukur për t’i dhënë mundësi qytetarëve të vijën të vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal, nuk do ishte e tillë sot nëse nuk do të kishte qenë mbështetja konkrete e SHBA për rritjen e vazhdueshme të kapacitete të Ushtrisë Shqiptare. Kam shumë besim edhe bazuar në bisedat me Gjeneralët, por edhe me bashkëveprimin e vazhdueshëm me ambasadoren Kim se do të mund të hedhim hapa të tjerë në rritjen e cilësisë së burimeve cilësore të FA duke krijuar besim të mëtejshëm. Të rinjtë gjithnjë e më shumë do ta shohin adresën e FA si një mundësi të artë për formimin dhe jetën e tyre pas formimit. Krijimi i një kapaciteti të ri akademik për rritjen kapacitetit të forcave njerëzore të FA është misioni i përbashkët i Qeverisë dhe i përfaqësisë së SHBA në Shqipëri. Jam shumë falënderues e mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të transformimit ët Forcave të Armatosura dhe kjo stërvitje nuk mbaron me mbarimin e saj në afatin e përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë të gjithë ushtarakët tanë. Uroj që miqësia mes Shqipërisë dhe SHBA të jetë e përjetshëm dhe ne të jemi krah për krah sot nesër dhe përgjithmonë”, tha Rama.
g.kosovari