Fondi Monetar Ndërkombëtar ofroi të premten një plan që çon në fundin e pandemisë, përmes financimit të vaksinimit masiv të popullsisë globale.
Në planin që shpalosi, FMN sugjeron të vihen në dispozicion 50 miliardë dollarë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit, duke vënë si synim vaksinimin e të paktën 40 për qind të popullsisë deri në fund të vitit 2021.
“Propozimi ynë ka synim, parashikon kërkesat financiare dhe prezanton veprimet pragmatike”, ka thënë Kristalina Georgieva, udhëheqëse e Fondit Monetar Ndërkombëtar, në Samitin Global të Shëndetësisë, të mbajtur në Romë.
Plani parasheh që të paktën 60 për qind e popullsisë në botë të vaksinohet deri në fund të vitit 2022.
Autorët e raportit kanë thënë se tashmë dihet se kriza ekonomike nuk përfundon pa i dhënë fund krizës shëndetësore.
Por vetëm vendet e pasura kanë më shumë vaksina. Vetëm rreth 3 për qind e popullsisë në Afrikë është vaksinuar kurse më shumë se 50 për qind e popullsisë në Shtetet e Bashkuara, thuajse tërë Izraeli, mbi 60 për qind e britanikëve dhe afro 30 për qind e popullsisë në Evropë, ka marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër koronavirusit, ka thënë FMN-ja.
Për të zvogëluar dallimet në qasje në vaksina, FMN-ja ka theksuar nevojën për subvencione shtesë për skemën COVAX – e cila është krijuar për të ndarë vaksina në vendet e varfra.
Plani prej 50 miliardë dollarëve është një kombinim i të paktën 35 miliardë dollarëve në subvencione, plus burimet nga qeveritë, si dhe fonde tjera.
/a.r