Në emër të grupimit ‘Për PD-në’, Edvin Kulluri, paraqiti sot për mediat disa kërkesa që i janë bërë Kryesisë së partisë për garën brenda Partisë Demokratike.
“Ne kemi dorëzuat sot një listë kërkesash për të garantuar një garë të lirë dhe të ndershme. Është në interesin e PD, Lulzim Bashës, që të dita e zgjedhjeve, të ketë një axhendë të përbashkët dhe rivalët të kenë takime në rrethe, secili kandidat të ketë përfaqësues në komisionin zgjedhor dhe në rrethe, të vihet në dispozicion lista. Kam një thirrje për demokratët që të marrin pjesë në zgjedhje”, tha Kulluri për mediat.
Letra me kërkesat:
Të nderuar zonja dhe zotërinj, bazuar në vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë për shpalljen e garës për Kryetar të PDSH që do të mbahen në datë 13 qershor 2021, po ju bëjmë me dije se nga Grupi për PD do paraqiten dy kandidatura, zonja Edit Harxhi dhe zoti Ibsen Elezi.
Për këtë po ju parashtrojmë disa kërkesa të domosdoshme për garantimin e një gare të ndershme dhe të lirë, pavarësisht nga koha tejet e shkurtër e vendosur në mënyrë të njëanshme nga kryesia e PDSH.
1) Kryesia e PDSH-së dhe Komisioni Elektoral të vënë në dispozicion të kandidatëve për Kryetarë të PDSH-së, jo më vonë se data 24 maj 2021, listën e plotë të anëtarësisë së PDSH-së.
2) Të rishikohet përbërja e Komisionit Zgjedhor dhe atyre në nivel dege, duke përfshirë përfaqësues të kandidatëve për Kryetar.
3) Të hartohet një axhendë e takimeve të përbashkëta të kandidatëve me anëtarësinë, për të shpalosur platformat politike dhe zhvillimin e debatit.
4) Zyra e Organizimit dhe kryesitë e degëve të venë në funksion të kandidatëve për Kryetar të PDSH-së, infrastrukturën dhe burimet administrative për zhvillimin e takimeve të përbashkëta të sipërcituara.
Mbetemi në pritje të plotësimit të këtyre kërkesave te domosdoshme për një gare të hapur, të barabarta dhe të mbështetur në vlerat më të mira perëndimore të Partisë Demokratike të Shqipërisë./ b.h