PD shkon në zgjedhje për kryetarin më 13 qershor edhe pse ato priteshin në korrik sipas statutit. Këshilli Kombëtar ka miratuar propozimin e Kryesisë për datën e zgjedhjeve si dhe përbërjen e komisionit zgjedhor.
Mësohet se asnjë anëtar nuk votoi kundër datës 13 qershor edhe pse ajo u propozua nga i besuari i Bashës, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ndërsa mori miratimin e 238 anëtarëve.
Deri më tani kandidatë të shpallur për kryetar janë Lulzim Basha dhe Fatbardh Kadilli, teksa të tjerët do të kenë kohë nga 16 maji deri më 22 maj.
Më pas nis fushata brenda PD nga 24 maji deri më 11 qershor kurse më 13 qershor demokratët votojnë sipas parimit një anëtar- një votë për kryetarin.
Po ashtu me asnjë votë kundër është miratuar edhe Komisioni Zgjedhor në PD me kryetar Jemin Gjatën dhe anëtarë Albana Vokshi, Belind Këlliçi, Eno Bozdo, Mimoza Hasekiu, Albert Avduli dhe Gjokë Vuksani. Ndërkohë anëtar zëvendësues do të jetë Çlirim Gjata.
foto galeri foto galeri 12PreviousNext
Gjatë mbledhjeve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar ditën e sotme pati debate ku Basha u përball për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 prillit me kritikët, Bujar Nishani, Fatbardh Kadilli apo Arben Ristanin që i kërkuan dorëheqjen e parevokueshme.
Nga ana tjetër Basha deklaroi para Këshillit Kombëtar se nëse zgjedhjet e 25 prillit konsiderohen të vjedhura atëhere beteja duhet të vijojë, por nëse pranohen si të rregullta nga demokratët, atëhere ai jepte dorëheqjen që sot.
/a.r