Lulëzim Basha po udhëton qytet në qytet pas humbjes. Nuk di saktësisht çfarë u shpjegon, por di që po u premton një luftë të re për fitore. Është një torturë e panevojshme e demokratëve, një mërzi e panevojshme e votuesve që nuk ja kanë dal të fitojnë dhe mbi të gjitha një hipokrizi e panevojshme nga vet ai.
Duke mos hapur garën me mos dhënien e dorëheqjes dhe duke u përpjekur të sulmoj çdo zë kundër tij, ai në të vërtet ka nisur një fushatë ilegale për mandatin e tretë në krye të PD.
Kritikët e tij janë të pa organizuar, por të vendosur ta sulmojnë. Dikush si Kadilli ka vendosur të kandidoj, dikush si Nishani ka vendosur vetëm të sulmoj, dikush si Imami të kërcënoj, por dhe ata të gjithë janë të përfshirë në një fushatë elektorale për të mos u rizgjedhur Lulëzim Basha.
Në betejë janë dhe gardianët e vjetër të Bashës . Jemin Gjana ka akuzuar Nishanin si “kapteri 91”, ndërsa Imamin si gjeneral i 97. Në fakt kjo është gjuha më hipokrite në PD, pasi është ligjërimi politik që dëshmon se PD është parti pa karakter. Një parti që ka kritere morale, nuk ka nevojë të bëj sulme të tilla, pasi nuk pranon në parti as “kapterë enveristë” të 91 dhe as “gjeneralë” të 97. PD i pranon bile vet sulmuesi i stërvitur për këtë çështje i ka pranuar dhe i ka votuar, njërin si president e tjetrin si Ministër, pas 91 dhe 97. Kështu që kur përdoret kjo logjikë, e vetmja që poshtërohet është PD dhe jo personazhet.
Ka dhe shembuj më optimist për njerëz që kanë vrarë PD. Shpëtim Idrizi i ka vrarë komisionerin Edi Palokës më 2005, si rival në një zonë elektorale, por ja ku janë si pëllumba paqeje të dy në PD, edhe pse në atë kohë njëri ishte pëllumb i Nanos e tjetri skifter i Berishës. Tani, komisioneri është tretur në dhe, ndërsa Shpëtimi fal sjelljes korrekte me Kunatin, ka blerë tre vende në listën e PD.
Ndaj ky lloj sulmi nuk është se krijon puritanizëm në PD. Përkundrazi krijon më shumë ngasje se PD mund ti bësh ctë duash, por mund të rikthehesh kur të duash, po ju deshe.
Në këtë aspekt çdo kush që ka qenë në PD dhe ka pas një konflikt me lidershipin duke ikur prej andej, nga ky “vlerësimi” i Gjanës më shumë trimërohet se frikësohet. Pasi gjithkush e kupton se Nishani apo Imami nuk kanë hyrë ilegalisht në PD, por me bujë të madhe duke i nderuar me postet më të larta. Kështu që Gjana në vend ti vërë vetulla Lulit i nxjerr më shumë sytë se inkurajon dhe ”tradhtarë” të tjerë.
Akoma më të shpifur janë këta që në përpjekje për të zhurmuar fushatën ilegale për mandatin e tretë të Lulit, baltosin mandatin e tretë të Edi Ramës. Ata i kërkojnë KQZ ti gjej fakte si ua ka vjedhur Edi Rama votat, duke e bërë dhe qesharake fushatën ilegale të Bashës. Është njësoj sikur rivalët e mëparshëm të Bashës në PD, ti kërkonin Jemin Gjanës si kryetar KQZ në PD, si votohet 20 herë, apo si dekonspirohet votimi, një tradite kjo e konsoliduar sa herë që Basha merr mandatin për kreun e PD
Në vend të gjithë kësaj turbullire që krijohet vetëm që Basha të rizgjidhet kryetar përsëri në Korrik do ishte më e ndershme që të shpallej një fushatë legale për kryetar të PD. E dimë që dhe ashtu Basha do jetë përsëri kryetar, po të paktën nuk baltosin njëri tjetrin për karrigen e tij. Me atë fitojnë të gjithë.