Kryeministri Edi Rama ka përsëritur premtimin që kishte bërë përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, kur tha se infemierëve do t’u rritet paga me 40% përgjatë mandatit të tretë.
Sot, në një aktivitet të mbajtur te amfiteatri i liqenit në Tiranë së bashku me infermierë, Kryeministri është shprehur se qeveria e drejtuar prej tij nuk do të tërhiqet nga ky premtim.
Rama theksoi gjithashtu se vendet e punës së infermierëve sot janë më të sigurta dhe mbajtja e pozicionit bëhet sipas të drejtës.
“Kjo është dita edhe për të thënë që ne nuk do ja kishim dalë dot nëse nuk do të kishim investuar me të gjitha forcat edhe pse jo të mjaftueshme, për ta ngritur në një nivel tjetër sistemin tonë shëndetësor, spitalet, për ta ngritur në nivel tjetër pagën e mjekëve dhe të infermierëve dhe për t’ju krijuar jo vetëm kushte më të mira pune por edhe atë parakusht, siguria e vendit të punës. Marrja e vendit të punës sipas meritës dhe mbajtja e vendit të punës sipas të drejtës.
Dhënia fund e një historie të tmerrshme futjesh e nxjerrjesh nga puna të infermierëve për qëllime që nuk kanë pasur lidhje me përmirësimin e shërbmit dhe sistemit, ka luajtur dhe ajo një rol shumë të rëndësishëm dhe pasja e një armate bluzash të bardha ku asnjë individ nuk kërcënohet në vendin e punës për shkak të bindjeve të veta politike apo për shkak se dikush tjetër përmes korrupsionit të vijë dhe ti zërë vendin, është një aset i jashtëzakonshëm.
Dua t’ju them përsëri kur zgjedhjet kanë mbaruar që rritja e pagës së infemireëve ka qenë e konsiderueshme por e pamjaftueshme. Kështu që angazhimi ynë për ta rritur pagën brenda këtij mandati të ri që fillon në Shtator dhe hap pas hapi 40% është një angazhim që mbetet dhe që ne do ta përmbushim 100%”, deklaroi ndër të tjera Kryeministri Edi Rama./ b.h