Kjo javë ka nisur me mot të kthjellët dhe të ngrohtë, por duket se gjatë ditëve në vijim do të kemi një ndryshim të kushteve atmosferike.
Meteorologu Hakil Osmani ka bërë me dije për abcnews.al se duke filluar nga pasditja e së martës do të kemi një prani të shtuar të vranësirave në territorin tonë që do të shoqërohen me reshje shiu më të dukshme nga e mërkura e në vijim.
Ndër të tjera ai ka theksuar se gjithashtu pas të mërkurës do të kemi dhe një rënie të lehtë të temperaturave.
“Dita sot ka nisur me mot të kthjellët, po ashtu dhe e marta do të shoqërohet me kthjellime për të pasuar në pasdite me shtim të vranësirash dhe reshje të pakta shiu. Ndërsa e mërkura dhe në vijim pritet që të ketë herë pas herë prezencë të vranësirash me reshje me intensitet të ulët në të gjithë territorin shqiptar.
Përsa i përket vlerave termike, vlera minimale janë shënuar me 11 gradë në zonat malore dhe maksimale deri në 30 gradë në vendet bregdetare. Në ditët në vijim do të kemi një ulje të temperaturave duke bërë që vlerat të zbresin deri në 8 gradë celsius dhe maksimumi 26 gradë. Kosova dhe Maqedonia deri mbrëmjen e së martës do të jenë nën mbizotërimin e kthjellimeve për tu pasuar më pas nga vranësirat dhe reshjet e shiut dhe në vijim”, është shprehur ai.
g.kosovari