Qeveria e Kosovës thotë se në Kizhevak të Rashkës në Serbi, po vazhdojnë gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Në këtë lokacion gërmimet kishin rifilluar më 5 maj.
“Gjatë këtyre ditëve, me qëllim të krijimit të mundësive për të vazhduar me zhvarrosjen e eshtrave, mbetjeve mortore, të viktimave të luftës, është bërë dekonservimi i terrenit për të filluar me gërmimet vlerësuese, përfshirë edhe largimin e dheut dhe gurëve të hedhur në këtë lokacion të varrezës masive gjatë vitit 1999 dhe vitet e para të pasluftës”, thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga Zyra e kryeministrit, shkruan Rel.
Sipas qeverisë, në këtë lokacion gërmimet do të vazhdojnë edhe në javët në vazhdim deri në zhvarrosjen e të “gjitha eshtrave të viktimave të luftës që mund të jenë”. Në këto gërmime po marrin pjesë edhe ekspertët mjekoligjorë nga Kosova.
Gërmimet e para në varrezën masive në Kizhevak janë bërë në fund të vitit të kaluar. Atje u gjetën mbetjet mortore të 4-5 personave. Atëbotë, autoritetet kanë thënë se kërkimet në Kizhevak do të vazhdojnë në vitin 2021, pasi të përmirësohen kushtet e motit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në muajin prill deklaroi se janë bërë dy identifikime të eshtrave të zhvarrosura në Kizhevak dhe sipas tij, ato u përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 500 persona kanë qenë të zhdukur.
Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve. Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 600 persona, kryesisht shqiptarë./ b.h