Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka publikuar disa foto nga Pediatria e re e Tiranës, që do të jetë së shpejti një spital modern për fëmijët.
“Pediatria e Re e Tiranës do të jetë së shpejti spitali më modern dhe miqësor me fëmijët, me standardet më të larta”, shkruan Manastirliu krahas fotove.
Godina e re ka përfunduar dhe janë vendosur disa nga aparaturat. Ky investim do të rris kapacitetet e pediatrisë dhe do të vendos një standard më të lartë shërbimi. Praktikisht kjo është një godinë tërësisht e re, që lidhet me godinën tjetër, e cila po i nënshtrohet gjithashtu rehabilitimit.
Ky investim përfshin rikonstruksionin e plotë të kompleksit të Spitalit Pediatrik, që përbëhet nga dy godina, Pediatria e Specializuar dhe Pediatria e Përgjithshme, ku do të ketë sallën e Urgjencës, Reanimacionit dhe Kirurgjisë Pediatrike me katër salla operacioni.
Investimi në Pediatrinë e Tiranës është pjesë e investimeve madhore për modernizimin e QSUT, bashkë me Spitalin e ri të Kirurgjisë dhe Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme./ b.h