Kina tha të enjten se ka vendosur që të pezullojë për një kohë të papërcaktuar të gjitha aktivitetet në kuadër të Dialogut EKonomik Strategjik Kino-Australian të organizuar së bashku nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës dhe ministritë përkatëse australiane.
“Kohët e fundit, disa zyrtarë të Qeverisë së Komonuelthit Australian publikuan një sërë masash për të prishur shkëmbimet dhe bashkëpunimin normal mes Kinës e Australisë mbi bazën e mendësisë së Luftës së Ftohtë dhe diskriminimit ideologjik,” thuhet në deklaratën e publikuar në uebsajtin e Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës.
“Në bazë të qëndrimit të Qeverisë së Komonuelthit Australian ndaj bashkëpunimit kino-australian, Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës i Kinës vendos që të ndalojë për një kohë të papërcaktuar të gjitha aktivitetet në kuadër të Dialogut Ekonomik Strategjik Kino-Australian,” vijon deklarata.
Marrëdhëniet mes të dy vendeve janë përkeqësuar qysh nga viti i kaluar, kur Australia vendosi tarifa antidumping ndaj produkteve kineze dhe në këtë vend u raportuan incidente të shumta diskriminimi ndaj studentëve kinezë.
Vendimi u mor pas anulimit prej Australisë të dy marrëveshjeve të bashkëpunimit mes shtetit të saj Viktoria dhe Kinës për nismën “Një brez, një rrugë” muajin e kaluar.
Për një periudhë kohe, pala australiane e ka shpërfillur pozicionin solemn dhe pakënaqësitë serioze të palës kineze. Ajo ka kufizuar dhe penguar projektet e bashkëpunimit kino-australian në ekonomi, tregti, shkencat humane dhe fusha të tjera për të ashtuquajturat arsye të sigurisë kombëtare, u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin në një konferencë shtypi të enjten.
Këto lëvizje dëmtojnë seriozisht besimin e ndërsjellë mes Kinës e Australisë dhe minojnë bazën për shkëmbimet dhe bashkëpunimin e dyanshëm. Kina do të përgjigjet në mënyrë të ligjshme e të nevojshme dhe pala australiane duhet të mbajë të gjitha përgjegjësitë për këtë, tha Wang-u.