Mediat turke janë të bindura se bosi kriptomonedhës “Thodex” i arratisur nga Turqia më 20 prill me 108 milionë dollarë fshihet ende në Shqipëri. Madje ato duke iu referuar burimeve nga policia turke kanë arritur të zbulojnë edhe itinerarin e lëvizjeve që turku Faruk Fatih Özer ka bërë në vendin tonë për t’i shpëtuar ndjekjes së autoriteteve policore.
Sipas televizionit TRT Haber, Özer fluturoi për në Tiranë me një biletë fluturimi me një drejtim që e bleu nga një kompani ajrore shqiptare.
Në Rinas, ai besohet se u prit nga një çift shqiptarësh me të cilët kishte krijuar kontakte gjatë një vizite që ata kishin zhvilluar disa javë më parë në Turqi. Me mbërritjen në Tiranë, turku Ozer ka qëndruar në 4 pika të ndryshme.
Fillimisht u vendos në një hotel pranë Zogut të Zi, duke prenotuar për 3 netë, por nga ku u largua natën e dytë pas përhapjes së shpejt të lajmit se ai ishte i kërkuar në Turqi dhe se ishte përfshirë në listën e kuqe të Interpolit.
Sipas mediave turke, ai u fsheh në një shtëpi pranë zonës së “Pazarit të Ri” në Tiranë, e cila besohet se ka qenë shtëpia e çiftit shqiptar që e priti në Rinas.
Özer nuk qëndroi shumë aty pasi u zbulua nga autoritetet dhe u transferua në një tjetër shtëpi, kësaj here në zonën e “Myslym Shyrit” në kryeqytet.
Por me dyshimin se ishte zbuluar sërish, turku i kriptomonedhave u larguar edhe prej aty dhe për t’u strehuar në një adresë të re në zonën e “21 Dhjetori”, ku edhe ka humbur gjurmët.
Mediat turke raportojnë se ai dyshohet se fshihet ende në Shqipëri me synimin për t’u arratisur në një prej vendeve të Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe Bosnja.
Ndërkohë, policia sipas mediave turke ka shtuar kontrollet në Fier, Vlorë dhe Durrës pasi dyshohet se Özer mund të arratiset me skaf për në Itali, ndërsa ka arrestuar edhe çiftin e shqiptarëve që e priti në Rinas dhe e strehoi në shtëpi.
Faruk Fatih Özer është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet turke, pasi akuzohet për mashtrim në vlerën e 2 miliardë dollarëve me kriptomonedhën virtuale “Thodex”.
/a.r