Pasuria e kandidatit të së djathtës për Bashkinë e Tiranës ka tërhequr jo pak edhe vëmendjen e opinionit publik, për mënyrën se si “doktori” vuri një pasuri marramendëse krahasuar me nivelin e jetesës në Shqipëri.
Pasi Halim Kosova është larguar nga detyra, është bërë një inventarizim i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku ka qenë për shumë vite edhe drejtor. Nga inventarizimi janë vërejtur shkelje të shumta, ku një prej tyre është numri i madh i barnave të skaduara.
Aktualisht rezultojnë barna të skaduara në vlerën 9,908,256 lekë, kryesisht furnizime të viteve 2008-2009. Ky stok ka ardhur si rrjedhojë e porosive pa kriter dhe të papërgjegjshmërisë.
Vetëm në vitin 2009 janë porositur dhe kanë dalë në skadencë 10.000 morfina,10.000 kalcium glukonat, 33.000 ketoprofan, artrosilen e të tjerë qetësues.
Por ajo që bie më shumë në sy është porosia prej 80.000 ampula vitaminë C në vitin 2006. Siç shihet qartë, ka pasur një papërgjegjshmëri në kërkesë për medikamente me efekte financiare.
Barnat e skaduara
Ky skandal është denoncuar edhe nga ministri i Shëndetësisë pak ditë më parë, i cili inspektoi Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, ku pa nga afër funksionimin e ECHO-s së parë 4D (4-dimensionale) në Qendrën e Shëndetit të Gruas të këtij institucioni. Sipas ministrit Beqaj, nga ky keqmenaxhim janë mbi 500 mijë dollarë pajisje mjekësore që janë jashtë përdorimit, pasi inventarizimi nuk ekzistonte si koncept.
Sa i përket deklaratave të Dr. Halim Kosovës për “pajisjet dhuratë” të ardhura nga miku zviceran, në fjalën e tij Beqaj tha se këto pajisje nuk janë inventarizuar kurrë në Maternitet.
“Gjithashtu një sërë pajisjesh mjekësore të ardhura dhuratë, nuk janë inventarizuar kurrë, që gjë ka bërë që ata që e kanë drejtuar më parë këtë spital, ta trajtojnë si një pronë të tyre private, madje ta keqtrajtojnë si një pronë të tyre dhe t’i përdorin pajisjet që kanë ardhur dhuratë për spitalin, pra për gratë e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që trajtohen këtu, sikur ta kishin një pronë të tyren”, theksoi Beqaj.
Ministri u ndal edhe në kohën kur kandidati i PD, Halim Kosova, ishte drejtor i Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe ku sipas Beqajt, janë gjetur barna të skaduara. “Në periudhën 2008-2009 ne kemi gjetur këtu barna të skaduara në vlerën 100 mijë dollarëve.
Këtu është një autoambulancë që prej 10 vitesh as nuk punon, as nuk kolaudohet, as nuk paguan taksa, por që deri në vjeshtën e 2013 shpenzonte karburant”, shtoi Beqaj. /“Dita”