Shkodranët hodhën vetëm 107 mijë vota në zgjedhjet e 25 prillit ose 5 mijë më pak se sa katër vjet më parë, duke shënuar kështu nivelin më të ulët të pjesëmarrjes në historinë e pluralizmit. Vetëm 39% e qytetarëve me të drejtë vote votuan në këtë qark të dielën nga nga 43% në 2017-ën dhe 49% në 2013-ën.
Demokratët e fituan qarkun duke shënuar rezultatin më të mirë që nga viti 2009, pavarësisht se ish-nënkryetarja e tyre, Jozefina Topalli, garoi me një parti të re. Në fund, partia Lëvizja për Ndryshim e Topallit mori në Shkodër 934 vota ose 2.39%, ndërsa vetë Topalli mori 506 vota pëlqyese. Të 900 votat që mori Topalli duket se ndihmuan PSD-në të marrë mandatin e dytë.
Demokratët morën 47 mijë vota ose 6 mijë më shumë se sa më 2017 dhe rrëmbyen 5 nga 11 mandate. Por socialistët ruajtën rezultatin në mandate të dy zgjedhjeve të kaluara. Socialistët morën 9 mijë vota më pak dhe ranë nga 4 në tre deputetë, por PSD mori 3 mijë vota më shumë se sa katër vjet më parë, të mjaftueshme për të fituar mandatin e dytë.
Votat e katër partive që morën mandate në Shkodër ishin afro 104 mijë, ndërsa një mandat u nxorr mesararisht me 9427 vota. Në këtë drejtim, PSD ishte më eficientja pasi fitoi një mandat për çdo 8171 vota, ndërsa mandatet e PD u fituan me 11,763 vota.
Votat pëlqyese në Shkodër nuk sollën ndryshim rezultati. Deputeti më i votuar i qarkut është Tom Doshi me 7886 vota, por Doshi vetë është tërhequr nga marrja e mandatit parlamentar pa dhënë ndonjë arsye.
Si person i padëshirueshëm nga Shtetet e Bashkuara, Tom Doshi u përball me rezistencën e Ambasadës amerikane para zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Edi Rama premtoi se ai nuk do të ishte pjesë e qeverisë së tij.
Kandidati i dytë më i votuar është Paulin Sterkaj i PS, i cili mori 7335 vota pëlqyese, ndërsa i treti është Bardh Spahia i PD me 7219 vota. Spahia është i shtati në listën e demokratëve dhe rrjedhimisht është humbës, pasi PD mori 5 mandate ndërsa herësi i Partisë Demokratike për Shkodrën është 11.700 vota.
Në anën e socialistëve, Benet Beci, drejtor i KESH-it, u rendit i dyti pas Paulin Sterkajt me 6131 vota pëlqyese. Ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili u vendos nga Rama i katërti në garën e Shkodrës dhe në luftë për mbijetesë, humbi njëkohësisht garën për partinë dhe garën për vota personale.
Ai mori 3920 vota pëlqyese. Izmira Rusi (Ulqinaku) e Partisë Demokratike është gruaja me më shumë vota pëlqyese në garë, (3683), pasuar nga demokratja tjetër Greta Bardeli (2753). Edona Bilali është kandidatja grua me më shumë vota në radhët e socialistëve (2711).
Me dorëheqjen e Doshit, deputetë të PSD-së pritet të jenë Gledis Çeliku, [Link CV] i cili ka punuar në vitet 2013-2015 si drejtor në OSHEE Shkodër, dhe Meri Markiçi [CV Link], drejtoreshë në Shkodër që nga viti 2014.(BIRN)
PS | Vendbanimi | CV | PD | Vendbanimi | CV | ||
1 | Edona Bilali | Tiranë | LINK | 1 | Helidon Bushati | Shkodër | LINK |
2 | Paulin Sterkaj | Tiranë | LINK | 2 | Emilja Koliqi | Shkodër | LINK |
3 | Benet Beci | Tiranë | LINK | 3 | Ramadan Likaj | Koplik | LINK |
PSD | Vendbanimi | 4 | Greta Bardeli | Shkodër | LINK | ||
1 | Gledis Çeliku | Shkodër | LINK CV | 5 | Zef Hila | Barbullush | LINK |
2 | Meri Markiçi | Shkodër | LINK CV | LSI | Vendbanimi | CV | |
1 | Agron Çela | Shkodër | Link |