Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci iu është bashkuar urimeve për kryeministrin Edi Rama, pas fitores që mori PS-ja në zgjedhjet e 25 prillit.
Përmes një mesazhi në Twitter, Bucci uroi Ramën dhe PS për rezultatin, po ashtu edhe liderin e PD-së, Lulzim Basha dhe krerët e partive opozitare për fushatën elektorale.
Po ashtu ambasadori italian, teksa ka shpërndarë një deklaratë të Ministrisë së Jashtme italiane, thekson se tashmë shtë koha që të gjitha partitë të punojnë në interes të shqiptarëve.
“Urimet e mia për Kryeministrin dhe PS-së për rezultatin zgjedhor. Urime Lulzim Bashës dhe drejtuesve të partive të tjera të opozitës që bënë një fushatë elektorale intensive. Për të gjitha forcat politike, tani është koha të punojnë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, duke respektuar rezultatin zgjedhor. Një opozitë e pjekur dhe e përgjegjshme është thelbësore në çdo demokraci. Mbështetje maksimale për Shqipërinë dhe institucionet e saj për një sezon të ri që sheh ndër përparësitë fillimin e negociatave të pranimit në BE!”, shkruan Bucci./ b.h