Bënte thirrje në afërsi të qëndrës së votimit në fshatin Agim për të djegur kutitë e votimit, kapet nga Policia dhe shoqërohet në Komisariat autori. Sekuestrohen shishe molotov, armë të ftohta dhe libra të një sekti fetar.
Sot rreth orës 19:10, është marrë njoftim se shtetasi M. P., banues në fshatin Havaleas, ka shkuar në kishën e fshatit Agim dhe ka hedhur në oborrin e jashtëm të saj një shishe me molotov e cila ka shpërthyer dhe për pasojë ka pasur vetëm dëme të vogla materiale.
Më pas është larguar dhe në rrugën kryesore të fshatit Agim, në afërsi të qendrës së votimit ka bërë thirrje duke sharë të gjitha subjektet politike duke kërcënuar se do digjte kutitë e votimit.
Menjëherë shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në Komisariatin e Policisë Fier të shtetasit M. P., 37 vjeç.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar tre shishe molotov, dy mjete prerëse (sëpatë dhe thikë) dhe libra të një sekti fetar të cilat i kishte me vete në një çantë.
Po kryhen veprimet procedurale hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/a.r