Dita e fundit zyrtare e fushats elektorale, e gjeti Lulzim Bashën në Elbasan. Në qendër të qytetit, pranë kalasë, aty ku u zhvillua dhe takimi, ishin mbledhur qindra qytetarë.
Para tyre, Basha premtoi se tetë vite keqqeverisje do të marrin fund më 25 prill. Ai shtoi ndër të tjera, se fitorja e Partisë Demokratike, do të thotë fitore për qarkun e Elbasanit, e të gjithë Shqipërinë.
“Mirë se ju gjej vëllezër dhe motra, në këtë mbrëmje të mrekullueshme kthehem në Elbasanin tuaj, në Elbasanin tim, në zemrën e Shqipërisë, zemrën që rreh për fitoren më të thellë të Elbasanit. Për fitoren më të bukur të Elbasanit, fitoren e familjeve të Elbasanit. Vëllezër dhe motra, tetë vite me radhë kam qenë me ju, në ditët e një dimri pafund, ku priteshin dritat e familjeve në lagjet e vjetra të Elbasanit, ku hiqej buka e fëmijëve të Elbasanit.
Tetë vite, tetë vite dimër marrin fund ditën e diel. Këtu jemi mbledhur si asnjëherë që nga kjo zemër e kombit të ushtojë në mbarë shqipërisë thirrja që buron nga zemra e çdo elbasanasi, ndryshim, bashkë për ndryshim, fitore! Fitore e çdo banori të këtij qarku fisnik, nga Përrenjasi në Gramsh, nga Librazhdi në Cërrik, nga Dumreja në Peqin. Këtu në zemrën e qarkut, Elbasanin e fisnikërisë.Bashkë erdhëm afër, bashkë ëndërruam të paimagjinueshmen dhe sot është realitet. Tuneli i Kërrabës, Tirana dhe Elbasani janë bashkë dhe afër më shumë se kurrë, më shumë se në të bukurën ëndërr. Bashkë ëndërruam dhe bëmë të vërtetë një nga dy investimet më të mëdha të dekadës, Kaskadën e Devollit. Dhjetëra mijëra familje të punësuara.
Bashkë shtruam rrugën e zhvillimit e të infrastrukturës, kudo anembanë Elbasanit. Vepra të tjera i lamë gati për t’i përfunduar, si rruga e Qukë-Qafë Plloçë. Por 8 vite me radhë, 8 vite dështime, i lanë këto projekte përgjysmë, i mbushën shtëpitë me të papunë dhe i zbrazën nga shtëpitë të rinjtë. 8 vite vuajtje, padrejtësi, dhunë. Më 25 prill, elbasanasit do të votojnë për qetësinë e familjeve të tyre, për paqen në zemrat e prindërve, për sigurinë e fëmijëve të tyre, për punësimin e nënave dhe baballarëve dhe për ta kthyer Elbasanin dhe universitetin e tij në një model arsimi për rininë”, u shpreh Basha./ b.h