Tensione dhe debate në Gjykatën e Posaçme të Apelit gjatë seancës për Arbër Çekajn, Donaldo Lushajn dhe Armando Pezakun. Çekaj është dënuar në shkallë të parë me 14 vite burg për trafikimin e sasisë rekord të kokainës së kapur ndonjëherë në vendin tonë prej 613 kg.
Burime bëjnë me dije se pronari i ‘Arbri Garden’, ka kërkuar nga gjykata që t’i heqë gjykimin e proceduar të shkurtuar dhe të zhvillohet procesi me procedurë të zakonshme.
Çekaj hoqi dorë nga ulja e 1/3 së dënimit përfundimtar. Por kërkesa e tij nuk është pranuar nga togat e zeza duke sjellë edhe acarimin e Çekajt. Ky i fundit ka bërë debate me trupën gjykuese dhe para se të largohej nga kafazi i hekurt është shprehur se nuk donte që të mbrohej më as nga dy avokatët e tij Maks Haxhia dhe Neshat Fana.
Pas largimit të Arbër Çekajt nga salla e gjyqit, trupa gjykuese shtyu seancën për në datën 7 Maj, ku është radha e prokurorisë për të dhënë konkluzionet përfundimtare.
Më datë 1 Prill është arrestuar edhe babai i Arbrit, Selim Çekaj, pasi në konteinerin që ai kishte porositur me banane nga Ekuadori u gjet edhe një sasi prej 49 kg kokainë. Edhe për këtë çështje vijojnë hetimet nga prokuroria e Durrësit.
/a.r