Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti inspektuan punimet për sallën e koncerteve të Akademisë së Arteve, e cila po rikonstruktohet totalisht me standarde europiane, falë edhe mbështetjes së TAP-it.
Veliaj falenderoi ministren Margariti për punën e bërë. Ai tha se me bashkëpunim dhe me durim çdo gjë mund të arrihet.
“Në qoftë se studentët në universitete të tjera thoshin rektori po investon te zyra dhe makina e tij, këtu rektori ishte bashkë-protestues, për të thënë se do të rregullojmë sallat dhe infrastrukturën e studentëve. Durimi, kur sheh që po punohet, justifikohet. Durimi, kur sheh se po mbaron “Sami Frashëri”, justifikohet. Durimi, kur sheh se po mbaron nyja te “Shqiponja”, justifikohet. Edhe metafora më e bukur është skena. Është shumë kollaj të jesh në lozhë, edhe të komentosh ata që janë në skenë. Do shumë kurajo të zbresësh në skenë edhe të bësh ndonjë punë”, vijoi kryetari i Bashkise.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se kjo sallë është një tjetër premtim i mbajtur në kuadër të ‘Paktit me Universitetin’.
“Është një punë kolosale ajo që do të bëhet këtu. Janë bërë hapa shumë të rëndësishme sepse për herë të parë kemi bërë një studim nga teknologjitë më të fundit dhe jemi patjetër në nevojën e një shtimi të kapacitetve, të teknologjisë. Jam besim plotë që do të jetë një tjetër kantier i suksesshëm dhe një hapësirë e merituar jo vetëm për artistët, por edhe për studentët që të diplomohen në këtë sallë me prindërit e tyre dhe të kenë vërtetë kujtime, jo vetëm të performancës së mirë, por të gjithë me një atmosferë të re dhe të denjë mes tyre”, nënvizoi Margariti.
Ndërsa, rektori i Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi tha se kjo e sotmja është një ditë e veçantë për artistët e rinj, të cilët do të kenë një skenë dinjitoze për të performuar.
“Më vjen mirë që sot duhet të vijnë spektatorët dhe artistët të ngrohur, të qetë, të relaksuar me një ambient teknik dhe artistik. Besoj shumë që ky realitet i sotëm pas një vit e pak do të jetë krejt ndryshe”, përfundoi ai.
Rinovimi i sallës së koncerteve në UAT është një nga investimet më të mëdha sociale dhe mjedisore të TAP-it në Shqipëri, investim ky që i shtohet një liste të gjatë investimesh në arsim, infrastrukturë, kulturë dhe mjedis. Për më tepër, TAP-i ka financuar edhe studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për rinovimin e sallës së koncerteve.
Malfor Nuri, Drejtor Vendi për TAP në Shqipëri, u shpreh: “TAP-i ka qenë gjithmonë i angazhuar në mbështetje të kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Përveç rehabilitimit të Muzeut Gjon Mili, ky është një investim tjetër kyç në arenën kulturore të vendit, duke qenë se salla e koncerteve në UAT është pikë referimi për artet performuese.”
Ky projekt ka si objekt rigjenerimin dhe adaptimin tekniko-funksional të skenës së koncerteve, e cila është pjesë e ndërtesës së Universitetit të Arteve të Tiranës. Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë dhe TAP, në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences. Punimet restauruese janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022./ b.h