Nga Adriatik Doçi
Gjashtë ditë më parë, në 15 prill 2021, Presidenti Ilir Meta, artikuloi një mesazh të koduar nga një studio televizive, për situatën e tensionuar parazgjedhore në Elbasan.
Pas zhvendosjes në Vlorë dhe Durrës, Meta u shpreh se do të zbarkonte me bashkëpunëtorët e tij në Elbasan, pasi kishte nevojë atdheu, në kuadër të betejës së tij për zgjedhje të lira! “Do iki edhe në Elbasan. Patjetër! Do të iki kudo ku të ketë nevojë atdheu! Për zgjedhje të drejta dhe të lira. Ka gjë më të rëndësishme se zgjedhjet? Nuk janë të kërcënuara zgjedhjet?”, tha Meta natën e 15 prillit.
Në Elbasan, LSI-ja është në pozita shumë të vështira, për shkak të braktisjes nga përfaqësuesit kryesor të saj, të cilët janë bashkuar me PS-në dhe PD-në. Kryetari e LSI-së, Monika Kryemadhi ka hasur në vështirësi për të organizua qoftë edhe një takim elektoral. Sipas sondazhit të Piepolit, në bashkëpunim me Report TV, publikuar në 18 prill, LSI rrezikon të mos marrë mandat në Elbasan.
Pas mesazhit, Ilir Meta është zhvendosur në Elbasan. Në shpjegimin zyrtar u tha se do të merrte pjesë në një iftar me komunitetin mysliman. Por, kjo foto konfirmon se Meta ka zhvilluar takime me shtabin elektoral të LSI, për ta inkurajuar dhe dhënë porosi. Në krah të Metës shfaqet Ermir Gjinishi, i dyti në listën e LSI-së në Elbasan.
Dy ditë më pas, vritet një nga kundërshtarët kryesor politikë të LSI dhe PD në Elbasan. Në një deklaratë për mediat, Meta tha se nuk mund të fliste për ngjarjen pasi nuk e njihte dinamikën. Nga ana tjetër, plagosjen e një përfaqësuesi të PD-së në Kavajë, pas një konflikti për parkimin, e konsideroi gjakderdhje zgjedhore, edhe pse dinamika e asaj ngjarje nuk kishte sfond elektoral.(shqiptarja.com)