20 prilli është Dita e Gjuhës Kineze e Kombeve të Bashkuara. Në vitin 2010, Departamenti i Informacionit (që tani quhet Departamenti i Komunikimit Global) i OKB-së nisi Ditën e Gjuhëve të OKB-së, me qëllim që të inkurajojë shumëllojshmërinë kulturore dhe të nxitë përdorimin e barabartë të gjashtë gjuhëve zyrtare (anglishtes, arabishtes, frëngjishtes, kinezishtes, rusishtes dhe spanjishtes) në këtë organizatë. Ndër to, Dita e Gjuhës Kineze u vendos të jetë në Ditën Guyu, që është faza e 6-të ndër 24 fazat stinore sipas kalendarit bujqësor kinez.
Departamenti i Informacionit i OKB-se vendosi Ditën e Gjuhës Kineze në fazën Guyu, në shenjë përkujtimore për kontributin e Cangjie-së në krijimin e hieroglifeve kineze.
Gjatë dhjetë vjetëve, Dita e Gjuhës Kineze është bërë një dritare për njohjen e kulturës kineze. Çdo vit në kuadrin e kësaj dite, në selinë e OKB-së në Nju-Jork organizohen një sërë veprimtarish, si ekspozita pikturash, forume të mësimit të gjuhës kineze, leksione, shfaqje artistike etj. Aktivitete të tilla zhvillohen edhe në përfaqësitë e OKB-së në Gjenevë, Bangkok, Najrobi dhe Vjenë.
Sivjet, me rastin e Ditës së Gjuhës Kineze zhvillohet edhe Videofestivali i Gjuhës Kineze, i organizuar bashkërisht nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, përfaqësia e Kinës në Gjenevë e Grupi Mediatik i Kinës (CMG), dhe i hapur për gjithë të huajt që kanë interes për gjuhën kineze.
Kënga tematike e këtij videofestivali u publikua para Ditës së 11-të të Gjuhës Kineze të Kombeve të Bashkuara. Kjo këngë, me emrin “Gjuha e Pranverës”, përcjell mesazhin e shpresës dhe të gjithëpërfshirjes, nëpërmjet kapjes së frymës së pranverës.
Deri tani, aktiviteti ka tërhequr pjesëmarrës nga 13 vende, duke përfshirë ShBA-në, Britaninë, Francën, Italinë, Zvicrën, Japoninë, Kenian etj. Ndër mbi 260 video të paraqitura, pasqyrohet bukuria e hieroglifeve, e kaligrafisë kineze, e kuzhinës kineze .