Partia Demokratike e cilëson skandal audio-regjistrimin e publikuar në media të drejtorit të Kadastrës, Artan Lame.
Sipas PD, aty dëgjohet Lame që t’u japë direktiva vartësve të tij, që të mbajnë me shpresë banorët që duan të legalizojnë 100 mijë objekte pa leje.
Ish-deputetja Jorida Tabaku tha se ky veprim është dëshmi e vjedhjes së votave nga Kryeministri Rama.
“Sot kemi një dëshmi nga një zyrtar i vjetër i Partisë Socialiste për kontaktin e tij të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama se si të blejnë votat me parave dhe përfitimeve financiare, duke u synuar të vjedhin zgjedhjeve në Shqipëri. Ndërkohë që mbajmë mend lloj-lloj mashtrimesh prej tij gjithë viteve që ka në politikë, ai tani synon të mashtrojë votuesit teksa u bën premtime që nuk do t’i mbajë. Fatkeqësisht kjo është vetëm një hallkë në zinxhirin e gjatë të veprimeve të tij korruptive dhe anti-demokratike, që ai po e zhvillon në terren, me synimin që të vjedhë zgjedhjet”.
Kreu i Kadastrës Artan Lame e ka pranuar si të vërtetë audio-regjistrimin e publikuar në media për çështjen e legalizimeve, por thotë se biseda e zhvilluar është e vitit 2017 dhe nuk ka të bëjë aspak me zgjedhjet që mbahen të dielën.
“Të gjitha shifrat që përmenden aty janë të vërteta për atë kohë. Them “janë të vërteta për atë kohë”, sepse ndërkaq kemi ecur përpara. Pra, aty them 150 mijë legalizime, sot kemi tejkaluar 210 mijë”.
Lame sqaron se takimi është mbajtur pas zgjedhjeve parlamentare të atij viti dhe në të është diskutuar lidhur me trajtimin e objekteve që në bazë të ligjit të mëparshëm nuk mund të legalizoheshin.
/a.r