Lulzim Basha del e thotë shpesh në takime e panele se ai i ka hequr vizat shqiptarëve me vendet e hapësirës Shengen.
Natyrisht që kjo deklaratë e tij konsiderohet thjesht si mburrje adoleshenti, pasi Bashkimi Europian e mori vendimin për të gjithë vendet e Ballanit Perëndimor në vitin 2011.
Qeveria shqiptare në atë kohë, që Lulzim Bashën e kishte ministër të Brendshëm, kishte detyrim që të pajiste qytetarët me karta identiteti e pasaporta biometrike, e të integronte sistemin TIMPS, pra që çdo qytetar që çekonte në Rinas, të dilte njëkohësisht në të gjitha zyrat e vendeve të hapësirës Shengen. Por çfarë ndodhi atëherë?
Dokumentet biometrike u hartuan me konçension nga një kompani private, e cila edhe sot merret me këtë punë.
Por të dhënat biometrike të qytetarëve u përvetësuan dhe u përdorën për arsye të interesave politike, dhe i gjithë database u përdor nga PD për interesa elektorale.
Madje më vonë, kur ministër ishte Bujar Nishani, këto të dhëna u ngarkuan si aplikacione dhe shiteshin në internet me një çmim të caktuar.
Kushdo mund t’i merrte ato.
Gazeta TemA ka publikuar sot pikërisht këtë database që është përdorur nga ana e Partisë Demokratike prej shumë vitesh, dhe mbi të është punuar zgjedhës për zgjedhës.
E prej publikimit të këtij dokumenti, të gjitha qarqet e mediave pranë PD-së e LSI-së heshin sikur s’ka ndodhur asgjë.
Ndërkohë që servirën një dokument pa asnjë gjurmë e të dhëna si të marrë nga PS-ja, ndërkohë që kjo forcë ka hedhur dyshime dhe e ka mohuar si autentik të saj.
Megjithatë jemi para faktit të publikimit të një database autentik të dhënash, që është përdorur nga PD prej vitesh në të gjitha qarqet e vendit.
Që është përdorur si server i zgjedhësve në fushatë e deri ditën e votimit.
Madje këtë e pohojnë edhe njerëz që kanë punuar në shtabet e Partisë Demokratike.
I njëjti sistem: Emra dhe mbiemra zgjedhësish, karta identiteti të shoqëruar me numra telefoni, por edhe me patronazhistin përkatës, i cili në momentin që zgjedhësi nuk votonte do ta lajmëronte(nëse e konsideronte të mundshëm).
Atëherë? Fakti është i qartë, ngjashmëria është e njëjtë dhe nëse do i nisemi diskutimit, do të duhet të jemi në të njëjtin standard.
Pra nëse dokumenti i quajtur i PS-së ka shkelur standardet, edhe ky që është më i hershëm dhe është “nëna” e të dytit, do të duhet të diskutohet me të njëjtin kut.
Pse nuk ndodh kjo? Sepse nuk ka qenë qëllimi t’i bihet në kokë një fenomeni që media e konsideron jo të rregullt.
Sepse medias që e serviri i është dhënë nga një aktor politik në garë, që thjesht ka dashur të turbullojë situatën.
Interesat e aktorit politik mund të jenë normale, por media duhet ta analizojë dhe ta servirë jo sipas kërkesës së partisë që ja dha, por duke e thelluar hetimin të zbulojë shkeljen e të godasë fenomenin.
U sulmua mazhoranca, edhe pse kishte mjaft dyshime që origjina vinte nga PS, edhe sot që ka nisur hetimi, mediat e qarqet në fjalë nuk duan të bashkëpunojnë me drejtësinë. Punë e tyre.
Po tani që u zbulua edhe server i patronazhistëve të PD-së? Përse heshtin?
Nuk ka përse, pasi nëse herën e parë e konsideronin si shkelje, e tillë duhet të jetë edhe për të dytën.
Por nga erdhën të dhënat e serverit të PD-së? Nga Ministria e Brendshme e Lulzim Bashës që mburret që liberalizoi vizat, por thjesht vodhi të dhënat e dokumenteve biometrike…