Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim online me drejtuesit e qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit.
Në fokus ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor në të gjitha fazat ku uniformat blu kanë një rol dhe detyrë të zbatojnë ligjin dhe godasin elementët kriminalë që do të tentojnë të prishin procesin.
Ministri Çuçi ka kërkuar në mënyrë të posaçme nga krerët e Policisë goditjen e fenomeneve që përbëjnë krime elektorale, si dhe që uniformat blu t’i shmangen çdo lloj intimidimi nga subjektet politike apo persona të ndryshëm të lidhur me to.
“Dua të përsëris edhe njëherë porosinë. Mos u intimidoni nga asnjë forcë politike. Është shumë e rëndësishme që të jemi më proaktivë në lidhje me parandalimin e fenomeve që përbëjnë krime elektorale. I keni të gjithë instrumentat që keni në dorë për të fiksuar prova dhe për të parandaluar situata të tilla. Do jetë në nderin e policisë nëse arrijmë të parandalojmë dhe arrijmë të fiksojmë prova për të çuar përpara drejtësisë njerëz që do të tentojnë apo do të kryejnë krime elektorale. Kjo është java më intensive përsa i përket tentativave për të kryer krime elektorale, sidomos për procesin e shitblerjes së votave”, tha ministri Çuçi.
“Në gjithë raportet e OSBE/ODIHR, të paktën në zgjedhjet e fundit, e kanë vlerësuar policinë për gjithë rolin që ka luajtur në procesin zgjedhor. Keni një përgjegjësi për të mbatjur një standard që tashmë është arritur. Deri më tani nuk ka pasur probleme, gjërat kanë shkuar mirë. Gjëra të vogla i keni menaxhuar me profesionalizëm, por unë do doja që të shtonim pak rolin proaktivë të policisë sidomos për krimet që lidhen me procesin zgjedhor. Nëse ne arrijmë të kemi disa raste të dokumentuara, të faktuara, për fenomenin e shitblerjes së votës do të ishte shumë mirë. Unë them se policia i ka të gjitha mundësitë sepse personazhet që veprojnë në këto situata pak a shumë dihen kush janë në të gjitha qarqet. Ju lutem shumë mos u intimidoni nga ansjë forcë politike, qoftë kjo edhe Partia Socialiste. Është në nderin dhe dinjitetin e Policisë që të jetë sa më neutrale në këtë proces. Sigurisht që politika të bën pis dhe unë e di shumë mirë që për të arritur qëllimet e tyre politikanët sulmojnë institucionet herë pas here kur ata shohin dhe mendojnë që mund t’i krijonë kredo politike, por mos u intimidoni nga këto, duhet të jeni sa më profesionistë edhe në reagime”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të takimit, Ministri i Brendshëm, foli edhe për menaxhimin e situatës në rast se do të ketë emigrantë që vijnë nga jashtë vendit për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Nuk e di çfarë vendimi do të marrë Komiteti i Ekspertëve, por duhet t’i përgjigjemi çdo vendimi në lidhje me pandeminë. Nëse do të hapen fare kufijtë, do duhet të rrisim sigurinë në pikat kufitare që mos të shfrytëzohen nga elementë kriminalë. Në rast se do të ketë kufizim të lëvizjes për shkak të pandemisë dhe për të ruajtur numrat që kemi dhe përmirësimin e situatës epidemiologjike, duhet të merren masat që të zbatohen vendimet e Komitetit. Më duket nesër duhet të mblidhet Komiteti i Ekspertëve dhe me të marrë një vendim, ne duhet të kemi një plan masash që t’i përgjigjemi çdo lloj vendimi. Kjo është shumë e rëndësishme. Bashkë me FRONTEX duhet ta shtojmë sigurinë për kalimet e paligjshme në ato korridore që janë mundësi për penetrimin e trafiqeve”, tha ministri Çuçi.
Përsa i përket procesit të numërimit, kreu i Ministrisë së Brendshme konsideroi si lajm të mirë faktin që numërimi do të bëhet në dy faza.
“Do keni parasysh që numërimi do të bëhet me dy faza. Ky është një lajm i mirë. Fillimisht do të dalë rezultati për subjektet politike pastaj për kandidatët brenda subjektit. Rezultati i madh do të dalë pak a shumë në të njëjtën kohë kur ka dalë në zgjedhjet e fundit. Procesi do të jetë më i zgjatur se është zakonisht, por e rëndësishme është që tensioni do të zhbëhet menjëherë pasi të numërohen votat për subjektin politik. Duhen marrë masat dhe duhet patur gatishmëri të plotë, drejtor, që nga momenti i mbylljes së kutive në qendrat e votimit dhe sidomos në daljen e rezultatit për subjektet politike. Dhe pastaj duhet të përgatitemi për çdo gjë sepse nuk dihet çfarë tensioni mund të ngrihet nga leximi i rezultatit dhe reagimi emocional i partive të ndryshme lidhur me pritshmëritë që kanë në këto zgjedhje. E kam me shumë merak këtë gjë, duhen marrë masa të plota për të parandaluar çdo situatë të mundshme sidomos në zona të nxehta”, tha ministri Çuçi./ b.h
Shumë zoteri ki Çuçi, lum prinderit qe te kane djale!