Myrto Uzuni këtë sezon mund të konsiderohet se ka zhvilluar një nga sezonet më të mira në karrierë.
Teksa është në vitin e parë në Hungari me Ferencvarosh, sulmuesi është përshtatur më së miri dhe në 34 ndeshje ia ka dalë të shënojë 13 gola dhe të asistojë në gjashtë raste.
Këtu nuk mund të harrohet edhe goli i shënuar në shtëpinë e Juventusit në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, që ishte një reklamë e shkëlqyer për shqiptarin.
E ky publicitet i ardhur nga kompeticioni më i rëndësishëm europian, duket se ka funksionuar.
Në ditën e sotme, mediat greke kanë theksuar se Uzuni ka përfunduar në orbitën e gjigandëve grekë të Olimpiakos.
Mbetet për t’u parë tashmë lëvizja e radhës që do të bëjnë kampionët grekë, ndërsa duhet edhe negociuar për çmimin e kartonit, teksa në mes është edhe dëshira e vetë futbollistit.