Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e ftuar sonte në emisionin “Java në RTSH”, foli për procesin e vaksinimit në Shqipëri.
Në panelin me analistët Prec Zogaj dhe Lorenc Vangjeli, ministrja u pyet a rrezikohet procesi i vaksinimit nëse partia socialiste humbet zgjedhjet dhe del në opozitë?
“Partia socialiste do të fitojë zgjedhjet dhe ne do të mbajmë të gjitha premtimet që kemi dhënë. Jemi me ritme shumë të shpejta dhe të larta të vaksinimit të popullatës. Tani do merremi me operatorët turistik për të pasur një sezon turistik pa kufizime. PS do të fitojë dhe kemi siguruar gjithcka që procesi i vaksinimit të vijojë ashtu sic është planifikuar. Njerëzit janë të bindur dhe nuk duan të rikthehen më pas në kohë, ata duan të ecin përpara. Unë jam shumë pranë qytetarëve dhe ne duam të vijojmë vaksinimin, rindërtimin.”- tha Manastirliu.
Më tej, ministrja shtoi se njësia numër 9 është zona ku ajo kandidon në Tiranë.
“Njësia numër 9 është zona ku unë kandidoj për deputete dhe për mua kjo zonë është një ‘Shqipëri e vogël’, pasi aty ka njerëz nga të gjitha trevat. Padyshim aty është mundësia për të biseduar me të gjithë e për të parë problemet.”- tha Manastirliu.
E pyetur nga analisti Lorenc Vangjeli për shqetësimet e banorëve, Manastirliu tha se sa më shumë shohin, aq më shumë kërkojnë.
“Qytetarët po shohin që po punohet dhe për këtë arsye ata kanë pritshmëri. Pra, 8 vite më parë ata nuk kërkonin asgjë nga shteti, ndërsa sot është ndryshe. Kur sheh një spital që bëhet, tani kërkon më tepër. Shumë kënde të vogla janë krijuar nëpër qytet. Shumë pjesë në Tiranë kanë ndyshuar imazhin dhe kërkojnë ndryshimin. Ndërsa më parë kur kërkonin, u thonin ‘hë xhan se do i bëjmë’ dhe nuk bëhej gjë. Ndërsa sot kërkojnë llogari”- u shpreh Manastirliu./ b.h