Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten globalisht me ritme shqetësuese dhe vuri në dukje se numri i rasteve të reja të konfirmuara në javë është dyfishuar gjatë dy muajve të fundit.
Në një konferencë për shtyp të premten, kreu i OBSH-së tha se numri i rasteve të reja “po i afrohet shkallës më të lartë të infeksionit që kemi parë deri më tani gjatë pandemisë”.
Tedros tha se disa vende që kishin arritur të mbanin në kontroll përhapjen e COVID-19 tani po raportonin rritje të rasteve.
“Deri në fillim të këtij viti, Papua Guinea e Re kishte raportuar më pak se 900 raste dhe nëntë viktima,” tha Tedros. Vendi tani ka regjistruar më shumë se 9,000 raste dhe 83 viktima, gjysma e të cilave u regjistruan gjatë muajit të fundit.
“Papua Guinea e Re është një shembull i përsosur pse shpërndarja e barabartë e vaksinave është kaq e rëndësishme”, tha Tedros, duke shtuar se vendi është mbështetur në dozat e vaksinave të dhuruara nga Australia dhe iniciativa COVAX e mbështetur nga OKB.
Deri më tani, COVAX ka dërguar rreth 40 milion vaksina në më shumë se 100 vende./ b.h