Kryeministri Edi Rama po zhvillon sot një takim me gra e vajza në Tiranë. E para në listën e PS për Tiranën, kandidatja për deputete, Luljeta Bozo, tha gjatë fjalës së saj se PS është e vetmja forcë politike që ka besuar në forcën e gruas.
Ajo kërkoi votën për PS-së, pasi, sipas Bozos, do të ishte një votë për familjen dhe për të ardhmen.
“Ne jemi gjysma e shoqërisë dhe pa këtë gjysmë nuk mund të eci shoqëria. PS është e vetmja që beson te forca jonë, me vepra jo me fjalë. Në qeverinë e PS ka kaq shumë gra ministre, ka marrë politika lehtësuese për gra dhe vajza që duan të futen në tregun e punës, për t’i dhënë fund atyre shfaqjeve të shëmtuara që ndodhin herë pas here në shoqërinë tonë. Është një forcë që ka besim në fuqinë ripërtëritëse që ka gruaja. Ju ftoj të gjithave të bëjmë të pamundurën që të dalim të gjithë në votime dhe të votojmë për PS sepse votojmë për familjen tonë, për të ardhmen tonë”, tha Bozo.
Sakaq, kandidatja e PS për deputet në Tiranë, Najada Çomo, e pranishme në takimin elektoral në Tiranë, kërkoi votën për këtë forcë politike, duke thënë se kryeministrit Edi Rama duhet t’i jepet një mundësi për ta bërë Shqipërinë të buzëqeshi.
“Ne gratë shquhemi nga durimi për të bërë gjëra të mira. Në emër të gjithë stafeve mjekësor që përfaqësoj, i jap suportin maksimal dhe ju siguroj që do bëj më të mirën për kujdesin për jetën, Ti japim kryeministrit Rama mundësinë që ta bëjë Shqipërinë të buzëqeshi”, u shpreh Çomo./ b.h