Tre vëllezërit në Berat, që u përfshinë në një sherr mbrëmjen e djeshme ku mbeti i plagosur edhe një efektiv policie, janë arrestuar ndërsa është shpallur në kërkim edhe vëllai tjetër. Janë prangosur Gerald Marini 38 vjeç, Marjus Marini 42 vjeç dhe Arjan Marini 40 vjeç, ndërsa është shpallur në kërkim Armando Marini 46 vjec.
Konflikti u regjistrua mbrëmjen e djeshme, për motive që nuk dihen ende, ku u përfshinë katër vëllezërit (përdorues të lëndëve narkotike) me komshinjtë e tyre Albert Meta dhe bashkëshorten e tij Olta, ku këta 2 të fundit kanë mbetur të lënduar me gurë.
I plagosur mbeti edhe efektiv i policisë Julian Xhahalili, 20 vjeç, i cili ndërhyri për të qetësuar situatën, por katër vëllezërit tentuan t’i merrnin armën dhe gjatë konfrontimit, arma iu shkrep në brez, duke bërë që polici të marrë një plumb në këmbë.
Ai u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar
“Nga specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: G.M., 38 vjeç, M.M., 42 vjeç dhe A.M., 40 vjeç si dhe u shpall në kërkim vëllai i tyre shtetasi A.M. Këta shtetas gjatë një konflikti për motive të dobëta i kanë shkaktuar dëmtime të lehta shtetasit A.M dhe bashkëshortes së tij shtetases O.M. Në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë, vëllezërit kanë dhunuar, goditur dhe kanë tentuar ti marrin armën e shërbimit njërit prej punonjësve të policisë dhe gjatë konfrontimit fizik dyshohet se arma ka kryer qitje të pavullnetshme ku është plagosur në këmbë punonjësi i policisë J.Xh, i cili pasi mori mjekim në Spitalin Rajonal Berat u transportua për në Spitalin e Traumës Tiranë, për ndihmë mjeksore më të specializuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale ‘Plagosje e rëndë me dashje’, ‘Plagosje e lehtë me dashje’, ‘Kundërshtim i punonjësit të policisë'”, njofton policia.