Pas vendimit të Presidentit amerikan, Joe Biden për tërheqjen e trupave ushtarake nga Afganistani, një vendim të tillë e ka marrë edhe NATO, përfshirë edhe Shqipërinë.
Tërheqja vjen pas rreth 20 vitesh që pas sulmeve të 11 shtatorit në vitin 2001 dhe procesi i paqes tanimë do të udhëhiqet nga afganët.
Deklarata e NATO-s:
Në 2001, Aleatët thirrën Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit për herë të vetme në historinë e NATO-s dhe shkuan në Afganistan së bashku me objektiva të qarta: për t’u përballur me al-Kaedën dhe ata që sulmuan Shtetet e Bashkuara në 11 Shtator dhe për të parandaluar terroristët që të përdorin Afganistanin si një strehë e sigurt për të na sulmuar. Në dekadat pasuese përmes investimit të gjakut dhe thesarit, dhe në partneritet me Republikën Islamike të Afganistanit dhe forcat e saj të sigurisë, ne kemi punuar së bashku për të arritur këto qëllime.
Përfundimi i Misionit të Mbështetjes së Vendosur të NATO-s zhvillohet në sfondin e mbështetjes së ripërtërirë rajonale dhe ndërkombëtare për përparimin politik drejt paqes. Ne do të vazhdojmë të mbështesim procesin e paqes në pronësi afgane dhe të udhëhequr nga afganët. Ne e mirëpresim Konferencën e Stambollit si një mundësi për të çuar përpara procesin e paqes dhe për të forcuar progresin e bërë në Doha. Ne i bëjmë thirrje qeverisë Afgane dhe Talibanëve që t’i përmbahen zotimeve të tyre për procesin e paqes të iniciuar nga marrëveshja SHBA-Taliban dhe Deklarata e Përbashkët SHBA-Afganistan.
Aleatët dhe partnerët e NATO-s do të vazhdojnë të qëndrojnë me Afganistanin, njerëzit e saj dhe institucionet e saj në promovimin e sigurisë dhe mbështetjen e fitimeve të 20 viteve të fundit. Tërheqja e trupave tona nuk do të thotë përfundimi i marrëdhënies sonë me Afganistanin. Përkundrazi, ky do të jetë fillimi i një kapitulli të ri. Një paqe e qëndrueshme në Afganistan do të ketë në themel një marrëveshje paqësore të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse që i jep fund dhunës, mbron të drejtat e njeriut të të gjithë afganëve, veçanërisht të grave, fëmijëve dhe pakicave, mbështet shtetin e së drejtës dhe siguron se Afganistani nuk shërben më kurrë si një strehë e sigurt për terroristët.
NATO mblodhi një nga koalicionet më të mëdha në histori për të shërbyer në Afganistan. Trupat tanë shkuan në Afganistan së bashku, ne jemi përshtatur së bashku, dhe tani po largohemi së bashku. Ne jemi mirënjohës të gjithë atyre që shërbyen dhe e mbështetën këtë mision, përfshirë forcat e sigurisë së Afganistanit. Ne nderojmë sakrificat e atyre që paguan çmimin përfundimtar në shërbim të tij.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me anë të një postimi në rrjetet sociale shkruan se sot ishte e pranishme në takimin e posaçëm të ministrave të jashtëm e të mbrojtjes të NATO. Xhaçka shkruan ndër të tjera se ka konfirmuar se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani.
Ministrja Xhaçka vlerësoi vendimin e administratës aktuale të SHBA, për të mos u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga Afganistani, por duke e bërë këtë në konsultim të plotë me vendet e NATO-s.
“Sot, në takimin e posaçëm të ministrave të jashtëm e të mbrojtjes të NATO, në emër të qeverisë shqiptare, konfirmova se Shqipëria mbështet plotësisht vendimin e marrë nga NATO, për tërheqjen e trupave nga Afganistani.
Ka ardhur koha që afganët dhe forcat politike të marrin pronësinë e këtij procesi paqeje.
Shqipëria është e gatshme të tërheqë trupat e saj, së bashku dhe në koordinim me Aleatët” shkruan Olta Xhaçka.
g.kosovari