Kryeministri Edi Rama deklaroi se, objektiv i rëndësishëm është që Shqipëria do të shkojë në Top 20, në Doing Business.
Në një intervistë televizive, Rama u ndal te raporti Doing Business 2020, ku Shqipëria renditet e 82-ta mes 190 vendeve.
Rama tha se, “ne kemi pasur një zbritje të konsiderueshme, kemi shkuar në mos gaboj në 60 e ca. Ka ndryshuar metodologjia e Doing Bussines dhe janë rikompozuar edhe një herë vendet dhe unë jam absolutisht i bindur dhe ky është një objektiv tjetër i rëndësishëm që ne do të shkojmë në Top 20, pa diskutim në Doing Business. Dhe fakti që sot në Shqipëri po afrohen biznese kaq të mëdha, është shumë domethënës”.
“Nëse shikoni raportin e TI do të shikoni përmërësime të vazhdueshme në një proces që është shumë i kondicionuar patjetër nga ecuria e reformës në drejtësi. Dhe nëse shikoni më thellë, do të shikoni që pikërisht korrupsioni i drejtësisë është ajo zonë gri e errët e Shqipërisë që na mban shumë poshtë në këtë klasifikim”, u shpreh Rama.
Në lidhje me uljen e borxhit publik Rama tha se, “merrni dhe lexoni porosinë që iu dha të gjitha shteteve një figurë e botës së financës, Mario Draghi, dhe nuk do të diskutojmë më për këtë punë”.
“Kur me fillimin e pandemisë porosia e tij dhe sugjerimi i tij ishte, tani duhet ekspansion, që do të thotë, duhet zgjerim i hapësirës së borxhit. Dhe çështja e borxhit nuk lidhet aq me sa është borxhi, por me sa janë kapacitetet e borxhit për ta paguar borxhin. Për ta financuar borxhin. Se Japonia e ka stratosferik, por nuk është aspak problem edhe nuk rrijnë ta diskutojnë atje sesi do ta ulin, sepse e financojnë borxhin. Dhe borxhi është një instrument për të investuar, është një instrument për të adresuar situata të jashtëzakonshme siç është situata e pandemisë. Është një instrument për të stimuluar rritjen ekonomike. Përsa kohë është i shëndetshëm dhe ne kemi një borxh të shëndetshëm, nuk kemi borxh problematik”, u shpreh Rama.
g.kosovari