E ftuar në “Shqip” nga Rudina Xhunga, në Dritare.tv Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka folur për programin dhe plane konkrete të rritjes së pagave.
Ajo ka përmendur programin e Partisë Demokratike, për të cilin thotë se duhet të mbështetet në planin konkret si do t’i realizojë të ardhurat për rritjen e pagave.
Sipas ministres Denaj, burimi financiar që shkon deri në 3 miliardë dollarë nuk është fakt, por vetëm një aludim “do të”. Më tej, ministrja thekson se pagat janë rritur, duke përmendur Policinë e Shtetit, paga e të cilëve tha ka patur rritje deri në 46% në 8 vitet e fundit.
“Dua ti them kujtdo që ka përpiluar programin e PD-së, sepse Basha ka marrë një ekip për këtë gjë,të shohë sa janë pagat sot pas rritjes efektike që kemi bërë. Çdo premtim elektoral duhet të mbështetet mbi data konkrete dhe me vëllime konkrete të kostove.
Me këtë nuk dua të them që Partia Demokratike nuk i ka bërë kalkulimet, por po të shohësh programin ekonomik të tyre, përfshirë pagat, pensionet, nuk mbështetet dot në mënyrën sesi do të realizojë të ardhurat. I kemi dëgjuar shpesh ato që thonë, që do të anullojnë “pipipi”-të. Mund ta bëjnë një gjë të tillë, mund të shkojnë në procese gjyqësore që e vërtetojnë këtë gjë, le të ndodhë. Por kjo është me “do të”, nuk është fakt sot ky burim financimi për të mbajtur premtimet që shkojnë deri në 3 miliardë dollarë.
Ne sot kemi paga doktorësh të cilët të ndarë në dy shtresa, ata të shërbimit parësor dhe ata sekondar, shkon në një vlerë nga 900 deri në 1200 dollarë. Ka edukatorë që e kanë pagën nga 600 deri në 700 dollarë. Diferenca është e vogël dhe në programin ekonomik të 4 viteve të ardhshme, ne kemi marrë përsipër që të rrisim dhe për ta dhe për shtresat e tjera të shërbimit në administratë.
Përjashtim do të bëjë niveli i i ministrave dhe deputetëve.Programi ynë ka një rritje që nuk është e pamundur, është më në ritëm sesa ky premtim, por do të shikojmë përsëri se nga nisemi. Nisemi nga pagat për Policinë e Shtetit ku për 8 vitet e fundit është rritur deri në 46%. Basha duhet të shikojë pagat që la PD-ja në vitin 2013, para se të premtojë kaq shumë.
Ne i rritëm në 36% për infermierët dhe laborantët dhe gati në 63% për mjekët. Këtë e bëmë dhe në një vit shumë të vështirë të ekonomisë siç ishte viti i kaluar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Afatet kohore duhet ti lidhim me të ardhurat në buxhet të shtetit. Efektiviteti i masave për formalizimin e ekonomisë, sipas projeksioneve do të realizohet brenda dy vjetësh.
Por për data konkrete flasim për ato gjëra që i dimë që do t’i bëjmë,siç është paga minimale, taksa zero për pagat deri në 40 mijë, taksa progresive nga 23 në 13% dhe të gjitha këto janë minuse në buxhet të shtetit”, tha ministrja Denaj.