Presidentja Osmani e njoftoi ambasadorin Minxhozi me zhvillimet politike në vend, veçanërisht me përpjekjet që Republika e Kosovës po i bën për vaksinimin sa më të shpejtë të qytetarëve të vendit. Duke e falënderuar shtetin shqiptar për bashkëpunimin, dr. Osmani nënvizoi se sigurimi i vaksinave për qytetarët e vendit është prioritet themelor i institucioneve të republikës.
“Në kohën e thellimit të krizës globale me pandeminë Covid–19, ne jemi të përkushtuar maksimalisht që të sigurojmë vaksina për qytetarët tanë. Ky është prioritet mbi prioritetet për ne. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe sigurimi i jetës së tyre është përkushtimi ynë i çdoditshëm”, tha presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja Osmani dhe ambasadori Minxhozi diskutuan për mundësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë qarkullimin e lirë dhe thellimin e raporteve kulturore, ekonomike dhe politike.
Ambasadori Minxhozi, pasi i uroi znj. Osmani zgjedhjen si Presidente e Republikës së Kosovës, e siguroi atë se shteti shqiptar do ta vazhdojë përkrahjen e mëtejme për Kosovën.
“Ne duhet të krijojmë politika të cilat e lehtësojnë edhe më tej bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor ndërmjet të dyja vendeve”, tha z. Minxhozi.