Nga Qesaraka kreu i PD-së, Lulzim Basha është ndalur edhe në njësinë administrative Dajt, ku u fokusua tek fasoneritë dhe përmirësimin e kushteve të grave që punojnë aty. Basha tha qeveria për 8 vite nuk ka investuar asnjë lekë, as në kohën e pandemisë, për të ndihmuar këtë sektor. Ai tha se taksa e sheshtë 9% dhe rritja e pagës minimale në 360 mijë lekë të vjetra në muaj, janë dy ka masat e para që do u vij në ndihmë grave që punojnë në këtë sektor.
“Goditja e parë ka qenë rritja e çmimit të naftës dhe rritja e çmimit të energjisë. Kjo ka rritur koston e prodhimit dhe kur rritet kosto e prodhimit do të thotë që investitori, pronari ka më pak për të investuar, ka më pak për të bërë politika të nxitjes së punësimit apo rritjes së pagave. Këto para shteti ia ka marrë por nuk ia ka kthyer. Nuk ia ka kthyer fjala bie në investime, prapë fasonët njësoj si sipërmarrësit e tjerë duhet të investojnë vetë në gjeneratorë sepse u ndërprehet energjia elektrike, në shkarkimin e ujërave të zeza sepse në të gjithë zonën e autostradës Tiranë-Durrës ku janë edhe një pjesë e madhe e fasonerive për 8 vite ma radhë nuk është investuar një lekë për kanalizimet e ujërave të zeza. Pastaj erdhi pandemia dhe ne e dinim fare mirë, i kërkuam shtetit të paguante një pagë për çdo punonjës të fasonerisë prej 260 mijë lekësh dhe të mbylleshin fasoneritë sepse po ktheheshin në një bombë. Nuk na dëgjuan derisa plasi në Krujë dhe Fushë Krujë e mbani mend. Ka edhe probleme të tjera sepse fasoneria është industri që e çon prodhimin në eksport. Ju e dini që ne kemi vënë pagën minimale prej 300 eurosh pra 360 mijë lekë të vjetra kёtё objektiv i cili do tё realizohet, por nuk mund tё realizohet siç e bёn ky. Cikli ku jemi është një sërë dështimesh 8 vjeçare. Pagat do të rriten sepse me masat tona ne do të do të mundësojmë pikërisht që ato qindra miliona euro, miliarda euro që shteti sot ua merr punëdhënësve si taksa, ju a merr dhe ju dhe nuk i kthen kurrë tek ju, por i përvetëson. Ato ne ti kthejmë në taksa të ulëta, ti kthejmë çmimet e ulët të energjisë dhe të naftës të cilat në vetvete do të sjellin punësim dhe pastaj përmes përfitimeve të ekonomisë dhe të sipërmarrjes do të rrisim edhe pagat në nivelin për të cilin jemi zotuar dhe niveli për të cilin jemi zotuar është që në Shqipëri nuk do të ketë pagë minimale poshtë 300 euro, në muaj dhe në fund të katër vjeçarit tonë, 400 euro në muaj paga minimale për të gjithë”, tha Basha.
/a.r