Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i madh” disa nga personalitetet më të ndritura të sportit në Vlorë.
Meta thekson se Vlora është qyteti i traditave, edukimit cilësor dhe vlerave qytetare.
Postimi i presidentit Ilir Meta:
Vlora ka qenë dhe mbetet djepi i sportistëve të talentuar, të cilët kanë arritur rezultatet më të larta në të gjitha disiplinat, duke nderuar fanelën e ‘Flamurtarit’ dhe përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Ndihem shumë i lumtur, që në qytetin e tyre të lindjes, të vlerësoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” disa prej personaliteteve më të shkëlqyera të ekipit të mundjes së “Flamurtarit”, kampionin e paharruar Safet Abazi, si dhe mjeshtrat e shquar të mundjes klasike, Ruzhdi Zeneli, Shkëlqim Korkaj, Ilirjan Korkaj dhe Fitus Korkaj.
Pata kënaqësinë të nderoja gjithashtu Kampionin e Botës dhe të Europës në bilardo, Roland Panozaqi, peshëngritësin e talentuar, Edmond Gjoka, si dhe kampionin e më pas trajnerin e ping-pongut, Kastriot Rukaj.
Mbështetur mbi këto tradita dhe trashëgimi të shkëlqyer, t’i orientojmë dhe t’i edukojmë të rinjtë vlonjatë drejt sportit, edukimit cilësor e vlerave qytetare, për t’i larguar ata nga veset dhe për t’i rikthyer “Flamurtarit” shkëlqimin e dikurshëm, në të gjitha disiplinat sportive.
/a.r