Kanë kaluar 5 vjet nga vrasja e deputetit socialist të Fierit, Fatmir Xhindi, dhe familja e tij i ka ende sytë nga drejtësia për zbardhjen e ngjarjes.Djali i madh i familjes, Andueli, prej 2 vitesh është deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për të vijuar atë çka i ati la në mes.
Në një intervistë për Shqiptarja.com, Anduel Xhindi shprehet se borxhin ndaj familjes së tij e ka drejtësia, dhe jo Partia Socialiste, dhe thotë plot besim se drejtësi do të ketë. Deputeti Xhindi, ndër më të rinjtë në moshë në parlament, shprehet se përpos reformave të bëra, qeveria është në drejtimin e duhur, por ka ende shumë për të bërë.
Megjithatë, ai nuk lë pa komentuar aksionin opozitar, që sipas tij nuk di se çfarë do, ndërsa të vetmin pushtet që ka, fjalën, e shpërdoron.