Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër arsenal të madh armësh në kryeqytet. Mësohet se depoja me armë të llojeve të ndryshme i përket shtetasit Sokol Xhura.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me datë 03.03.2021 ka regjistruar procedimin penal nr.52 per veprat penale te “Vrasjes me paramendim”, e kryer për interes, në bashkëpunim në formën e ”Grupit të strukturuar kriminal”, “Shkaterrimi i prones me eksploziv” si dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armeve, armeve shperthyese dhe municionit”, ”Grupit të strukturuar kriminal” vepra penale te parashikuara nga nenet 78/2, 22, 152, 278, 28/4, 333/a dhe 334/1 te Kodit Penal, në ngarkim të personave nën hetim Gj.Cukali, E. Jamaku dhe E. Jamaku.
Pas hetimeve të mëtejshme, janë kryer kontrolle dhe ndaluar dhe arrestuar një numër personash për veprat penale të “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim në kuadër të ”Grupit të strukturuar kriminal’, ”Prodhimi dhe mbajtjes së armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Kanosja”, etj, të parashikuar nga nenet 278/a, 28/4, 333/a, 334/1, 278 dhe 84 të K.Penal.
Ky hetim ndiqet në dinamikë me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Në datë 09.04.2021, nga ana e prokurorisë së posaçme, është kërkuar Gjykates se Posaçme te Shkalles se Pare për Korrupsionin dhe Krimin te Organizuar, lejimi i kontrollit të ambienteve të të hetuarit në këtë procedim, shtetasit Sokol Xhura, i biri i Ismail-it dhe i Zeliha, i datelindjes 16.03.1978.
Mëngjesin e ditës së sotme, nga ana e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është realizuar kontrolli i këtyre ambienteve, në rrugën Xhanfize Keko, ish-ndërmarrja artistike “Migjeni”, pranë ish-oxhakut të kësaj ndërrrmarrje, në një ambient të izoluar plotësisht me mur. Policia gjyqësore, pasi ka realizuar rrëzimin e murit, ka zbuluar depon e fshehur, ku janë gjetur një arsenal mjaft i madh, armesh të llojeve të ndryshme, kalibrave të ndryshëm, municione luftarake, lëndë plasëse të ndryshme, armë të kalibrave të ndryshëm me dylbi, etj. Nga ana e policisë gjyqësore është duke vazhduar dokumentimi me hollësi, i kësaj veprimtarie.
Për hollësi të mëtejshme, do të vijojë një komunikatë e detajuar nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë./ b.h