Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe drejtues i fushatës në qarkun e Elbasanit, z.Taulant Balla ishte i ftuar në ‘Zgjedhje 2021’ nga Alban Dudushi dhe Pranvera Borakaj, prej ku, referuar ngjarjes së bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit, deklaroi se në ditët në vijim do të tregojë edhe lidhjen e përfolur të presidentit Meta me organizatorët.
“Në ditët në vijim do të provohet edhe lidhja e organizatorëve me Ilir Metën. Ilir Meta dështoi, sepse sot ngarkesa me vaksina erdhi. Ajo që unë po ju them është se kjo ishte një përpjekje për të penguar një proces që do ta quaja ‘shpëtimi’ të Shqipërisë nga përballja me pandeminë dhe ju e dini që ai institucion prej shumë vitesh ka qenë pjesë e tepsisë që i ka marrë Ilir Meta, qoftë nga PD-ja, qoftë nga ne, dhe ai institucion u përdor në mënyrë bandideske nga disa persona që janë të lidhur qoftë me LSI-në, qoftë me Ilir Metën. Apeli im ndaj institucioneve, sepse në fund të fundit edhe ekzekutivi, edhe ministria përgjegjëse duhet të reagojë me një forcë dhe ndërkohë që drejtësia duhet të zbardhë të gjitha ndërlidhjet në organizmin e këtij akti terrorist.”
Përtej përgjegjësisë së hedhur drejt z.Meta, Balla është shprehur se në këtë histori, ‘ujku dhe çakalli’ janë pikërisht presidenti dhe ish-kryeministri Berisha.
“Ujku dhe çakalli është Iliri dhe Saliu. Sa i përket provave keni të gjitha deklarimet e Ilir Metës. Merrini deklarimet e Ilir Metës, merrini qasjet e personave të cilat janë të ngjashme me ato të Ilir Metës dhe pastaj sigurisht që u kujtua Saliu nxori dhe Lulzim Bashën sot, që të bënte dhe ai një…”
/a.r