Kryeministri Edi Rama ka vijuar akuzat ndaj opozitës për grumbullimet e njerëzve gjatë fushatës elektorale. Gjatë fjalës së tij në një takim elektoral në Kolonjë, kreu i qeverisë deklaroi se shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka.
Rama bëri thirrje që të mësohet nga eksperiencat në Kosovë e Mal të Zi në lidhje me fushatat. Kreu i qeverisë e konsideroi opozitën një çetë, ndërkohë që tha se PS-ja është parti me karakter dhe kjo është arsyeja se pse nuk i grumbullon simpatizantët e saj në këtë kohë.
“Për ne, përpallja elektorale është një moment detyrimi karshi njerëzve që ne patjetër do ta respektojmë deri në fund, por mbi fushatën, mbi partitë, mbi pushtetin është shëndeti i të gjithëve, shëndeti i shqiptarëve pa dallim. Shëndeti i kërcënuar nga një armik i padukshëm që nuk shikon majtas djathtas por godet në 360 gradë nuk shikon me kë je, i kujt je, sa ke, por godet sapo i jepet mundësia. Ndërkohë që kemi në fazën finale të kësaj lufte me vaksinimin masiv që do të na mundësojë ta nxjerrim jashtë nga jetët tona virusin është e domosdoshme që çdonjëri prej nesh të vazhdojë të respektojë rregullat. Vaksinimi është në proces, por nuk ka shkuar në pikën që të këpusë zinxhirin e infektimit në çdo hallkë tjetër. Grumbullimet e sabotojnë procesin e vaksinimit, vonojnë daljen nga tuneli, rrisin numrin e viktimave, shtojnë plagët dhe largqoftë numrin e jetëve të humbura. Nuk kemi nevojë të kujtojmë se çfarë solli fushata elektorale në Kosovë me turma në aspektin e luftës me armikun e padukshëm. Çfarë solli në Malin e Zi, fushata elektorale me marshime dhe britma nëpër rrugë. Soli humbje jetësh, plagosje dhe rritje të numrit të infektive. Pse duhet Shqipëria të kalojë nga kjo eksperiencë e hidhur. Çfarë borxhi kanë qytetarët atyre që sillen në mënyrë të papërgjegjshme që krijojnë vatra infektime ndërkohë që kërkojnë besimin për të marrë në dorë punët e vendit. Na vijnë mijëra mesazhe pse nuk mblidhemi dhe ne për të treguar forcën. Për një arsye shumë të thjeshtë sepse ne nuk jemi një çetë ku janë mbledhur lloj-lloj rrymash e lloj-lloj individësh pa din e pa iman që kanë treguar se dinë më shumë të dëmtojnë se sa të punojnë. Ne jemi PS-ja, ne jemi forca që ka karakterin dhe ka përgjegjësinë për t’i dalë përballë sfidave dhe për të mos u tërhequr edhe kur ato sfida janë të forta”, tha Rama.
/a.r