Nga ALFRED PEZA
Opozita shqiptare u kuptua se nuk ka asnjë strategji për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit. Asnjë program realist qeverisjeje për të nesërmen. Asnjë alternativë të besueshme, për ta qeverisur ndryshe nga Edi Rama dhe PS këtë vend.
Në vend të tyre, kandidati i opozitës për Kryeministër, ju dha një… libër. Duke ju treguar, se vërtetë nuk është një lider real, se nuk e lë Sali Berisha. Por të paktën, është një… misionar, i dërguar posaçërisht për ne nga Ai atje lart. Në këtë mënyrë, Lulzim Basha edhe nëse nuk ia doli që tia fitojë zemrën shqiptarëve si udhëheqës, po tenton ta bëjë si i dërguari i Zotit!
Bukur shumë deri këtu. Sepse këto veshë kanë dëgjuar shumë në këto 30 vjet, shumë më tepër sesa kanë parë të llahtarisur këto sy, në një vend që vijon ende të ofrojë si alternativë të re atë më të vjetrën mes të gjitha alternativave politike të post komunizmit.
E në kushtet kur një opozitë nuk ka as një lider real për tju drejtuar, as një shpresë për tu ngjallur, as një ëndërr për tu treguar, as një frymë për tu mbajtur në jetë dhe as një gërmë ndryshimi për tu lexuar,- duhet patjetër që tu ofrojë diçka. Sepse pa të, ajo nuk mund të vijë dot në pushtet dhe Lulzim Basha, nuk ia del dot që ta realizojë ëndrrën e tij fëminore me Kryeministër.
Nuk e kanë vrarë shumë mendjen se çfarë tu ofrojnë, por e kanë gjetur kollaj siç kanë bërë gjithmonë ata, që historia u ka dhënë mundësinë për të luajtur me popujt e tyre. Opozita shqiptare po i ofron këtë radhë shqiptarëve, si alternativë të “re”, atë më të vjetrën mes tyre. Duke ua ofruar çdo ditë e më me zell, me pasion dhe tërsëllima deri në dëshpërim.
E vetmja gjë që po u ofrojnë shqiptarëve në këtë fushatë elektorale, është ajo që i bën të gjithë popujt të dridhen, e më pas tu dorëzohen pa kushte: FRIKA. Alternativa e frikës, është e vetmja që po u ofrohet sot shqiptarëve për të nesërmen e tyre, nga opozita jonë.
Frika nga vaksinimi. Frika nga Edi Rama. Frika nga e sotmja. Frika nga e ardhmja. Frika nga rindërtimi. Frika nga spitali. Frika nga shkolla. Frika nga prona. Frika nga toka. Frika nga biznesi. Frika nga shteti. Frika nga pushteti. Frika nga tatimorët. Frika nga ikja. Frika nga ardhja. Frika nga vota. Frika nga demokracia. Frika nga zgjedhjet. Frika nga e vërteta. Frika nga realiteti. Frika për jetën. Frika për ekzistencën. Frika nga vdekja.
Nuk kanë edhe aq shumë faj që për të fituar edhe në këto zgjedhje, nuk i ofrojnë shqiptarëve shpresën, por frikën. Jo optimizmin, por pesimizmin ekstrem. Jo më të mirën, por frikën nga më e keqja. Jo triumfin e jetës, por pragun e vdekjes. Jo dritën e së ardhmes, por fantazmën më të zezë të së shkuarës. Jo gjysmën e gotës plot, por vetëm atë gjysmën tjetër bosh.
Nuk kanë edhe aq shumë faj liderët e opozitës sonë të vjetër për këtë, sepse nuk është se nuk u ka ecur deri më sot, përmes kësaj filozofie. Me frikën e shqiptarëve luajtën më 1991 dhe humbën. Edhe me frikën luajtën më 1992, por fituan. Me frikën luajtën më 1994, por humbën. Me frikën luajtën më 1996 dhe fituan. Më frikën luajtën më 1997 dhe humbën. Me frikën luajtën më 2001 e humbën për të fituar më 2005. E kështu derisa ikën nga pushteti më 2013, për të luajtur me frikën më 2015. Më 2017. E sidomos më 2019. Ndaj po e bëjnë edhe sot.
“E vetmja gjë që duhet bërë për ti skllavëruar njerëzit është frikësimi. Nëse arrini të imagjinoni një mënyrë për ti frikësuar njerëzit, mund të bëni me ta, çdo gjë që të doni”. Ka qenë kjo një pjesë e përgjigjes që Herman Goering dha në gjyqin e Nurenbergut, kur u pyet se si arritën që ta bindin popullin gjerman për ta pranuar të gjithën atë që ndodhi në Luftën II Botërore. “Ishte e lehtë”,- tha ai, sepse e gjitha kjo “nuk ka të bëjë fare me nazizmin, por ka të bëjë me natyrën njerëzore. Mund ta bësh në një regjim nazist, komunist, socialist, një një monarki ose në një demokraci”.
Liderët e opozitës sonë po e bëjnë veç të tjerash, sepse edhe sot në vitin e 21 të shekullit të 21 munden, ndaj shpresojnë që tu funksionojë. E vetmja gjë që ua prish planin, është se tani që shqiptarët po shohin shtëpitë dhe shkollat që po u ndërtohen pas tërmetit; po vaksinohen masivisht ndaj covid-19; po shohin që tatimi mbi pagën dhe taksat e TVSH-ja për biznesin e tyre të vogël u është bërë zero…,- e kjo i ka ndihmuar që ta bëjnë dallimin.
Në fund të fundit shqiptarët e kanë mësuar se shpresa me guxim, është liri. Ndërsa shpresa me frikë, është dobësi. Për ne mund të thuash çtë duash, por kurrë, se jemi një popull i dobët!