Nga Dritan Hila
Vizita e Vjosa Osmanit në Shqipëri, qëndrimi i saj abraziv ndaj kryeministrit Rama dhe bashkiakut Veliaj, ishte vetëm një shijim i asaj çfarë do të vinte më pas.
Refuzimi nga ana e qeverisë Kurti i vaksinimit të mësuesve kosovarë me vaksinat që ka marrë Tirana është preludi i marrëdhënieve të akullta që qeveria Kurti do të ketë ndaj Shqipërisë.
Le t’i lëmë mënjanë thirrjet patetike të Vetëvendosjes për bashkim kombëtar dhe dëngla të tjera patriotike. Sa herë Vetvendosja ka pasur diçka në dorë për të goditur qeveritë shqiptare, Kurti nuk e ka lënë rastin t’i shpëtojë nga dora.
E gjuajti me rastin e Rrugës së Kombit dhe taksës së tunelit, duke spekuluar me një problem ekonomik. Nga rruga 120 kilometërshe, qeveria Berisha bëri vetëm 56, me një kosto që e ka thyer në mes edhe sot e kësaj dite financat shqiptare.
Taksa e Kalimashit është vetëm një pjesë e kompensimit për të mbuluar kostot e përfundimit të kësaj rruge. Por Kurtit aspak nuk i intereson logjika ekonomike.
Ai shfrytëzoi rastin për të shfaqur patosin e tij patriotik dhe acaruar marrëdhëniet me Tiranën zyrtare duke dhënë shfaqje në Kuvend.
Vizita e Vjosa Osmanit ishte rasti i dytë që Prishtina është, pak të thuash, në discordancë me qeverinë e Tiranës.
Dhe tani vjen refuzimi i vaksinës që vjen nga Tirana. Preteksi se ajo është kineze nuk ka asgjë më shumë sesa në gjuhën diplomatike që nuk e duam ujin se ka lagështirë.
Kosova nuk ka asnjë traktat apo marrëveshje detyruese që duhet të pranojë vetëm vaksina perëndimore. Për më tepër biznesmenë të saj janë vaksinuar në Beograd. Preteksi i Prishtinës është i njëjtë me atë mes dy blloqeve në luftën e ftohtë.
Është largmendsh të mendosh që Rama nuk po e përdor për propagandë këtë iniciativë, sikurse po ashtu kjo nuk i shton asnjë votë brenda kufijve.
I vetmi sukses që arrin Kurti me këtë refuzim, është shtimi i distancës mes Prishtinës dhe Tiranës. Dhe të jetë i sigurtë që mbase një rast edhe harrohet, por tre janë shumë për t’u fshirë nga memoria dypalëshe.
Fatkeqesisht sjellja e Kurtit po tregon se nuk ka asgjë të përbashkët me bashkimin kombëtar i cili para së gjithash duhet të jetë shpirtëror. Dhe këto gjeste vetëm për afrim nuk shërbejmë. Sjellja e tij dhe Osmanit jamë një paralajmërim të erërave të acarta që po fryjnë në Morinë.
Mbase Kurti ka llogaritur qe Rama humbet dhe me këtë rast do t’i japë një dorë aleatëve të tij të vonë në Tiranë. Mbase! Por në fitoftë rishtas Rama, çfarë do bëjë? Për më tepër që ai njihet si inatçi por edhe Rama nuk është më pak. A e ka menduar se kjo sjellje jo vetëm që nuk shërben në afrimin shpirtëror kombëtar por përkundrazi në formimin e kombit kosovar.
Dhe gjithë kjo qasje të çon në një hamendësi praktikash që në Shqipëri janë zbatuar jo rrallë. Shpesh shërbimet sekrete në vend se të luftojnë një lëvizje kombëtare apo nacionaliste ballazi, e kontrollojnë atë nëpërmjet të pilotuarve të tyre. Është më rentabël dhe shpesh të sjell rezultate më të mira sesa përplasja ballore.
Në fakt Albini ka kontribut për çështjen kombëtare, vetëm se kontributi i tij ka qenë në kundërshtim me interesin e momentit të kësaj çështjeje. Tani që komandantët e luftës jane në burg dhe Albinit i ka mbetur në dorë timoni i Kosovës, le të shpresojmë që gabimet e tij në të shkuarën kanë qenë një axhamillëk i tij dhe jo një veprim i pilotuar nga Beogradi.
Pasi më vazhdoftë në këtë kurs përplasjeje që ka me Tiranën, shumë shpejt do t’i duhen votat e gjithë pakicave që ka në Parlament që të mbajë qeverinë në këmbë, pasi shqiptarët kanë për t’u bërë shumë shpejt esëll nga dalldia Vetëvendosje.(Dritare.net)
Veprime prej te Marri