Kolegji Penal i Gjykatës së Apelit i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës për të kryer procesin e sterilizimit të qenve endacakë, pas një ankese të një shoqate që merret me mbrojtjen e kafshëve.
Në vendimin e gjykatës thuhet se në vitin 2015, për shkak te problematikës që ka sjellë popullimi i lartë i qenve endacakë, dhe fakti i ndonjë epidemie me rrezik për popullatën, Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, ka përcaktuar metodologjinë për numërimin e qenve endacakë.
Apeli vlerëson se nga kontrolli i kryer, edhe me ekspertë të jashtëm, nuk konstatohet që nga ana e AMK-së të jetë kryer ndonjë veprim/mosveprim me dashje, në kundërshtim me parashikimet ligjore/nënligjore apo me vendimet e organit më të lartë drejtues.
Gjykata e Apelit shprehet se organi i Prokurorisë, ka kryer të gjitha hetimet e nevojshme, duke administruar praktikat e prokurimit, praktikat e procesit të sterilizimit të qenve e ndjekur nga Klinika Veterinare, si dhe janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit edhe punonjës të klinikës veterinare dhe përfaqësues të shoqërive lidhur me medikamentet, madje ka caktuar dhe një ekspert veteriner me qëllim sqarimin e çështjeve që kanë të bëjnë me fushën e veterinarisë.
Pas një hetimi të gjithanshëm, Gjykata e Apelit Tiranë çmon se Organi i Prokurorisë ka konstatuar me të drejtë se faktet nuk përmbajnë elementët e veprës penale, duke i dhënë të drejtë AMK-së./ b.h