Ka nisur sot takimi i paralajmëruar mes drejtuesve dhe eksponentëve të koalicionit qeverisës.
Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për integrim janë takuar sot në ambientet e vilës qeveritare në ish-Bllok, ndërsa mësohet se në takim janë të pranishëm Edi Rama, Ilir Meta, Petrit Vasili, Gramoz Ruçi, Erjon Braçe dhe Arben Ahmetaj.
Fokus i takimit mendohet të jetë tema e Reformës në Drejtësi, por nuk përjashtohet as ndryshimet Kushtetuese, reforma zgjedhore dhe ndryshimet në qeveri. Kjo e fundit është një pikë ku LSI ka këmbëngulur prej kohësh duke theksuar se qeveria ka nevojë për ‘impulse të reja’.
Nga ana tjetër, temë e pritshme e takimit e cila mendohet të jetë edhe kryesore, janë diskutimet lidhur me projekt-buxhetin e vitit 2016. Disa minuta pas fillimit të takimit, atij i është bashkëngjitur edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
Në përfundim të këtij takimi, Arben Ahmetaj tha se aleanca është e unifikuar në qëndrimet dhe mendimet e saj, si për buxhetin e vendorëve, si për reformën zgjedhore.
“Në datën 17 është ligji për pushtetin vendor, për funksionimin që kërkon votë të cilësuar, ka një rakordim të plotë. Ne rakordojmë qoftë në detaje qoftë në aspekt politikash. U ra dakord që të krijohet komisioni për reformën zgjedhore. Në parim është rënë dakord për krijimin e komisionit. Pushteti vendor ka 48 mld rritje fondesh. Është rënë dakord edhe për riformulimin e taksës së infrastrukturës e cila është në favor të pushtetit vendor, e gjitha. Idrizi është pjesë e aleancës dhe mendimi i aleancës është unik. Kemi gjetur edhe më të dakordësi plotësisht”, deklaroi Ahmetaj.