Presidenti Ilir Meta ka takuar ditën e sotme Ambasadoren Ursula Gacek e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.
Përmes një njoftimi Meta bën me dije se i ka premtuar Gacek përkushtimin për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cënuar, vullnetin me votë.
“Prita sot, me kërkesën e saj, Ambasadoren Ursula Gacek, e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021. I përcolla Drejtueses së Misionit, vendosmërinë dhe përkushtimin tim të palëkundur për të garantuar, që qytetarët të shprehin lirshëm dhe pa u cënuar, vullnetin e tyre të plotë në votim”.
Në këtë takim Meta thotë se ka folur edhe për krimin zgjedhor.
“Theksova se, do të ndalim me çdo kusht dhe mjet, që presioni i krimit dhe shantazhi mbi qytetarët të minojë zgjedhjet, të shkatërrojë demokracinë dhe të ardhmen europiane. E informova Ambasadoren dhe Kryetaren e Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, për nismën time transparente për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit duke ju krijuar mundësinë të gjithë qytetarëve të denoncojnë me kurajo dhe pa hezitim të gjitha presionet, shkeljet dhe parregullsitë, që synojnë tjetërsimin e vullnetit të tyre. Shpreha gatishmërinë për bashkëpunim të plotë për të siguruar paprekshmërinë e zgjedhjeve të vullnetit të sovranit”./ b.h