Për të treguar se sa pas ka mbetur Shkodra duke votuar tradicionalisht për Partinë Demokratike, Edi Rama e krahasoi me Pukën.
“Shikoni Pukën, e ka lënë Shkodrën mbrapa në aspektin e zhvillimit, kapacitetit për të çuar para. Puka po bëhet atrasion turistik, pa pasur kalanë e Rozafës, këtë liqen fantastik të Shkodrës, ndërkohë që Shkodra vazhdon vegjeton në një stanjacion që ka mbetur në një automallkim, nga marrezia politike, nga idiotësia komunizmi, antikomunizmi. Po ti shohësh me sy të kthjellët është ndryshe qasja ndaj asaj historie, njëra palë bërtet, shan, mallkon”.
Ndërsa për të treguar se si mund të bëhet nëse voton Partinë Socialiste, e krahasoi me Italinë ose Zvicrën.
“Si në Itali, në Zvicër është e mundshme të bëhet kështu se i ka të dhëna nga Zoti dhe natyra. Çfarë e pengon, verbëria dhe shurdhëria e qorrave të marrosur nga interesi partiak që nuk duan t’ja dinë për veten por shkojnë qorrazi dhe japin votën pas dy gishtave, pas hakërrimave dhe pas degradimit”.
Sipas Ramës, tifozëria politike dhe ata që ende bëjnë ndarjen mes komunistëve dhe antikomunistëve, e kanë lënë Shkodrën në gjendjen ku është.
“Qyteti më i pistë i Shqipërisë, nuk mblidhen plehrat, ka më shumë gropa në Shqipëri, vjen dhe nuk sheh ndryshim. Kudo sheh që ndryshojnë, këtu i ka mbetur ora”.
Rama tregoi në Shkodër se si zyrtarë të Partisë Demokratike kishin ndërprerë vaksinimin e të moshuarve të Vaut të Dejës, sepse godina u duhej për KZAZ.
“A e kuptoni se me çfarë lloj talebanësh kemi të bëjmë ne? Këtë duhet ta kuptojnë shkodranët që më shohin komunist mua, nipin e Zef Kolombit dhe Veronica Kolombit”.
Në Shkodër, Rama kujtoi sërish skenarin e ndërprerjes së vaksinimit, nëse Partia Demokratike vjen në pushtet.
“Po të vijnë këta do vazhdojë vaksinimi? Harrojeni! Këta nuk dinë. Më tregoni një qendër shëndetësore? Nuk dinë. Është mbledhur paaftësia dhe indiferenca. Ata dinë vetëm 2 gishta dhe Rama ik. Se e dinë që ndryshe nuk ia dalin dot. Ik se nuk të mundim dot. Rama ik, Rama ik. Ku të iki? Dhe pse? Për çfarë arsye? Se doni ju”.
Ndërkohë, gjatë paradites në Vaun e Dejës, Kryeministri premtoi se brenda mandatit të tretë do të mbyllet përfundimisht çështja e furnizimit 24 orë me ujë të pijshëm./ b.h