Duke nisur nga e shtuna e 3 prillit, do të ketë pak lehtësira në Greqi, sa i takon situatës së COVID-19.
Mediat greke shkruajnë se qarkullimi do të lejohet për të lëvizur nëpër qytet, por edhe për të ndjekur aktivitetet sportive.
Sipas njoftimit të ri, familjet që duan të dalin shëtitje mund ta marrin lejen me anë të një SMS-je, por ama, e kanë të detyrueshme mbajtjen e maskave mbrojtëse. Të hënën e 5 prillit do të hapen dyqanet e vogla, ndërsa mbyllur do të vijojnë të qëndrojnë qendrat tregtare.
Javën e ardhshme autoritetet do të nisin testimin masiv në të gjitha shkollat e mesme të vendit, ku do të testohen nxënësit dhe mësuesit, me synimin që me 12 prill, të rihapen të gjitha gjimnazet e vendit.
Këto masa janë shpallur këtë mbrëmje nga zv. ministri i Mbrojtjes Sociale, Nikos Chardalias dhe ministri i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias. Shifrat e fundit të të infektuarve dhe viktimave në Greqi nuk kanë qenë aspak inkurajuese.
Sipas autoriteteve gjatë 24 orëve të fundit janë infektuar 3.616 persona dhe kanë ndërruar jetë 76 të tjerë./ b.h