Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka mirëpritur me optimizëm sugjerimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për të rikthyer në bankat e shkollës maturantët në 10 Bashkitë e vendit që ishin me rrezikshmërinë më të lartë ndaj COVID-19.
Kushi garanton se shkollat janë të përgatitura plotësisht për të pritur maturantët, teksa ka një apel. Ajo thekson se në këtë fazë maturantët duhet të jenë të kujdesshëm për të respektuar rregullat anti-COVID.
Statusi:
Jam optimiste për sugjerimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për rikthimin në bankat e shkollës të maturantëve nga 10 bashkitë që deri më sot konsideroheshin zona me rrezikshmëri të lartë infeksioni. Shkollat e mesme pranë këtyre bashkive janë plotësisht të përgatitura për të mirëpritur nxënësit sipas të gjithave protokolleve anti-COVID.
Duke falenderuar çdo nxënës, mësues e prind për mirëkuptimin e reflektuar deri më tani, apeloj fort që të jemi shumë të kujdesshëm në respektimin e rregullave me qëllim mbrojtjen e shëndetit të gjithsecilit dhe vijimin me një proces të rregullt mësimor.
Faleminderit dhe suksese të gjithëve! /b.h