Një tjetër humbje është shënuar ditën e sotme në radhët e intelektualëve të njohur.
Për shkak të Covid, mësohet se ka humbur jetën ish zëvendës ministri i Ndërtimit në vitet 1998-2000, inxhinier Kujtim Bejtaj, një nga personalitetit e spikatura në fushën e ndërtimit në Shqipëri.
Kujtim Bejtaj është edhe vëllai i nënkryetarit të partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, Dr. Engjëll Bejtaj.
Kush ishte Kujtim Bejtaj
I lindur më 26/01/1951 mbaroi shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe më pas filloi studimet në fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të cilin e përfundoi po me rezultate të shkëlqyera.
Pas diplomimit, në vitin 1974 filloi punë në Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hidrocentraleve që në atë kohë po ndërtonte hidrocentralin e Fierzës. Shumë shpejt spikati aftësia e tij si inxhinjier dhe drejtues i zoti duke u bërë shumë shpejt një nga drejtuesit kryesorë të asaj ndërmarrje gjigande. Pas përfundimit të hidrocentralit të Fierzës, Kujtimi filloi dhe përfundoi hidrocentralin e Komanit duke qënë kryeinxhinjer i ndërmarrjes.
Me përfundimin e hidrocentralit të Komanit, Kujtimi me gjithë ndërmarrjen tashmë si drejtor i saj filloi ndërtimin e hidrocentralit të Banjës deri në vitin 1993 kur përfundoi faza e parë. Në vitet 1998-2000 Kujtim Bejtaj ishte në detyrën e zv.Ministër i Ndërtimit. Pas këtij viti vazhdoi aktivitetin përsëri në fushën e ndërtimit deri sa sëmundja e covid_19 i mori jetën.
Cilësitë e larta njerëzore, korrektësia shëmbullore e tij, si dhe aftësia e jashtëzakonshme si inxhinjer dhe drejtues, bëjnë që ndarja nga jeta e Kujtimit të lerë pas një boshllëk të vështirë për t’u mbushur.