Administrata e Biden po planifikon që të krijojë certifikatën e vaksinimit sikurse kanë planifikuar vendet e Bashkimit Europian.
Agjenci të shumta qeveritare janë të angazhuara në biseda të koordinuara nga Shtëpia e Bardhë, pasi ky lloj sistemi do të luajë një rol në aspekte të shumta të jetës, përfshirë potencialisht fuqinë punëtore.
Presidenti Joe Biden ka parashikuar që jeta në SHBA mund të kthehet në normalitet deri në 4 Korrik, ndërsa më shumë amerikanë vaksinohen çdo ditë. Pasaporta e vaksinës mund të jetë çelësi për një kthim të normalitetit nga fundviti.
Ndërkohë, disa sektorë, si industria e udhëtimeve, kanë kërkuar që të zhvillohet një sistem uniform. Planet e administratës u raportuan së pari nga The Washington Post. Objektiv ambicioz i kreut të Shtëpisë së Bardhë është edhe sigurimi i 200 milionë dozave deri në fund të Majit.
Disa kompani dhe grupe teknologjike kanë filluar zhvillimin e aplikacioneve ose sistemeve të smartphone për individët duke krijuar kredenciale dixhitale që mund të shfaqen për të hyrë në vendet e koncerteve, stadiume, kinema apo zyra./ b.h